Ylli i hollywoodit, Queen Latifah e pranon se për të, është ende i pabesueshëm largimi i aktorit Chris Noth nga seriali, “The Equalizer”.
Aktori i serialit hit “Sex and the City”, Chris Noth është përjashtuar nga seriali i ri i kanalit CBS, ku Latifah e luan rolin kryesor, kjo pas përfshirjes së tij në një skandal me ç’rast disa gra e kanë akuzuar publikisht për sulm seksual. Ndërsa, kolegia e tij po e përshkruan gjithë këtë situatë si mjaft delikate.
“Ende nuk mund ta besoj. Është një situatë kaq delikate që kërkon të trajtohet me shumë respekt. Kjo është një gjë personale me të cilën ai do të duhet të merret”, citohet të ketë thënë aktorja.
Ylli 51-vjeçar i muzikës rep dhe kinematografisë, tutje shpjegoi se shefat e këtij projekti janë ende duke punuar në gjetjen e mënyrës së duhur për ta larguar personazhin e Nothit nga seriali, kjo pasi roli të cilin ai e portretizonte, William Bishop, e kishte një rëndësi të madhe për tregimin që trajtohet në shou.
“Ne jemi duke u munduar ta kuptojmë se çfarë duam të bëjmë me shoun nga ana kreative, dhe pastaj si do të përballemi me atë personazh. Roli i Chrisit është padyshim një pjesë e madhe e serialit dhe unë kisha një kimi të mahnitshme me të në ekran. Por, mendoj se drejtësia duhet të mbizotërojë pavarësisht raporteve që i kemi krijuar. Thjesht dua të bëhet gjëja e duhur, më kuptoni çfarë dua të them”, shtoi tutje Latifah.
Akuzat kundër 67-vjeçarit, Chris Nith, erdhën pak kohë pasi ai e përsëriti rolin e Mr. Big në sezonin special të serialit, “And Just Like That”, dhe menjëherë pasi ky lajm i pushtoi mediat botërore aktoret e këtij projekti, Sarah Jessica Parker, Cynthia Nixon dhe Kristin Davis, e lëshuan një deklaratë të përbashkët ku thuhej: “Jemi shumë të pikëlluara nga akuzat kundër Chris Nothit. Ne i mbështesim plotësisht të gjitha gratë që kanë marrë guximin të flasin dhe t’i ndajnë me publikun përjetimet e tyre të dhimbshme. E dimë se duhet të ketë qenë diçka e vështirë për ta bërë, prandaj i përgëzojmë për guximin që e kanë treguar”
Deri më tani, dy gra kanë folur publikisht kundër aktorit me ç’rast kanë deklaruar se janë sulmuar seksualisht nga ai. Një grua e identifikuar vetëm sikur Zoe, tha se në vitin 2004 ishte përdhunuar nga aktori kur ajo ishte vetëm 24-vjeçare. Kurse, një grua tjetër e njohur me emrin Lily, deklaroi se ajo ishte 25-vjeçare kur kishte dalë në takim darke me Nothin, i cili më pas e kishte sulmuar seksualisht. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në New York.
Aktori i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat kundër.
Chris Noth i cili nga viti 2012 është i martuar me aktoren kanadeze, Tara Wilson, megjithëkëtë ka premtuar se do të bashkëpunojë me autoritetet nëse policia përfshihet në këtë çështje dhe rasti i tij shkon në gjykatë.
-
26 janar 2022 09:46
-
Shpërndaje në: