Këngëtarja e famshme amerikane, Lana Del Rey, do ta prezantojë për herë të parë këngën e saj të re, “Watercolor Eyes”, në episodin e kësaj jave të serialit “Euphoria”.
Adhuruesit e yllit të hitit “West Coast” kishin spekuluar se Del Rey e ka incizuar një këngë për një episod të dramës për tinejxherë të kanalit HBO. Dhe tani në trailerin e sezonit të dytë të serialit, janë përfshirë disa fragmente të këngës në fjalë. Episodi i tretë i shout shumë të ndjekur transmetohet më 23 janar.
36-vjeçarja Del Rey po i ndjek hapat e kantautorit britanik, Labrinth, i cili po ashtu kishte krijuar këngë origjinale për serialin hit ku ylli i kinematografisë, Zendaya, e portretizon rolin e tinejxheres problematike të quajtur, Rue Bennett.
Ndërkohë, së fundmi Lana e pranoi se muzika nuk është prioriteti i saj.
Me ta pranuar çmimin “Artistja e dekadës” në ceremoninë “Variety’s Hitmakers” në muajin nëntor, këngëtarja tha: “Kam qenë shumë me fat që i kam ndjekur ëndrrat e mia dhe gjërat që më kanë inspiruar nga mosha 18-vjeçare. Ndonjëherë kjo më ka larguar shumë nga muzika në mediume të tjera dhe mundësi të tjera pune që nuk kanë të bëjnë fare me artin. Unë jam e gjithanshme dhe ajo që kam kuptuar është se nëse ndjek atë që të intereson, do të përfundosh duke qenë shumë kreative në atë fushë. Edhe nëse duhet të punosh nga ora 9 e mëngjesit deri në 5 të pasdites, pasi të jesh shpërblyer me një çmim prestigjioz si ‘Artistja e dekadës”, ti duhet ta bëni atë që të duket e drejtë për veten. Gjithmonë më pëlqen të them se poezia është mënyra se si e jetoj jetën time, bërja e dashurisë është trashëgimia ime dhe diku në mes të këtyre dy angazhimeve gjej kohë të krijoj edhe muzikë”.
Lana Del Rey gjatë vitit 2021 ishte mjaft aktive në fushën e muzikë duke i lansuar dy albume të incizuara në studio, “Chemtrails over the Country Club” dhe “Blue Banisters”.
Përktheu: Edona Binaku