Showbiz

Shpallen fituesit e shpërblimeve “People’s Choice Awards 2021”

Ylli i mundjes i shndërruar në aktor, Dwayne Johnson, ishte fituesi i madh i ceremoninë së sivjetme “People’s Choice Awards”, duke u shpërblyer me çmimet, “Aktori më i mirë në film”, “Ylli i komedisë” dhe çmimin special “Kampioni i njerëzve”.

Edhe filmat e bazuar në Universin Kinematik Marvel shënuan suksese të mira gjatë mbrëmjes, duke rrëmbyer shpërblime për yllin Scarlett Johansson e nderuar me çmimin “Aktorja më e mirë në film” dhe filmin e saj “Black Widow” i cili u shpall “Filmi më i mirë i vitit 2021”. Edhe aktori i ri Simu Liu u nderua me çmim në kategorinë “Ylli i filmave aksion, ndërsa filmi i parë me superhero aziatik “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings” u shpall “Filmi më i mirë aksion”. Aktori i njohur britanik, Tom Hiddleston, u nderua me çmimin “Ylli i serialit televiziv” ndërsa projekti i tij shumë i pëlqyer nga publiku, “Loki”, u shpall “Seriali më i mirë i vitit”.

“Filmi më i mirë komedi” u shpall projekti i fundit i Ryan Reynoldsit “Free Guy”, “Emisioni më i mirë ditor” u shpall “The Ellen DeGeneres Show” kurse çmimi “Emisioni më i mirë i natës” shkoi për shoun e famshëm “Jimmy Kimmel Live”. Shou më i mirë real u emërua “Keeping Up With the Kardashians”, derisa yll i këtij shou, Khloe Kardashian, e fitoi çmimin “Ylli i shout real”. Gjatë mbrëmjes së martë u nderua edhe Britney Speras e cila e fitoi çmimin “The Social Star”.

Sa i takon kategorive për muzikë gjatë mbrëmjes u nderuan yjet: Lil Nas X dhe Adele të cilët u shpallën, “Artisti dhe artistja e vitit 2021”. “Grupi më i mirë” u shpall bendi nga Korea Jugore “BTS”, të cilët po ashtu e fituan çmimin “Këngën më e mirë” dhe “Videoklipi i vitit” për hitin e tyre “Butter”. Olivia Rodrigo u nderua me çmimin “Albumi më i mirë” për incizimin e saj debutues “Sour” dhe “Artistja më e mirë e re”, në kategorinë “Artisti më i mirë i muzikës country” u nderua Blake Shelton, “Artisti më i mirë latin” u shpall Bad Bunny, dhe këngëtarët The Kid Laroi dhe Justin Bieber u nderuan në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë i vitit 2021”.

Ndër personalitetet e nderuara me çmime speciale ishin, Christina Aguilera e cila e pranoi shpërblimin inaugurues “Ikonë e muzikës”, Halle Berry u shpall “Ikona e njerëzve” dhe ylli televiziv dhe miliarderja, Kim Kardashian West, u nderua me çmimin “Ikonë e modës”.

Ceremonia e përvitshme, fituesit e së cilës përzgjidhen nga votat e publikut, përbëhet nga gjithsej 40 kategori të ndryshme të cilat i nderojnë format e ndryshme të artit dhe showbizit, si filmi, televizioni, muzika dhe pop kultura. Ngjarja e së martës mbrëma u mbajt në Santa Monica dhe u transmetua live në kanalin “NBC”. Ceremonia u prezantua nga ylli i shout “Saturday Night Live”, Kenan Thompson.

Përktheu: Edona Binaku