Showbiz

Drake ka hequr dorë nga nominimet e tij për çmim “Grammy”

Descriptive Text

Reperi i njohur, Drake, ka hequr dorë nga nominimet “Grammy” për albumin e tij të fundit, “Certified Lover Boy”.

Albumi rekordthyes i tij ishte nominuar në dy kategori të këtyre shpërblimeve, “Albumi më i mirë rep” dhe “Performanca më e mirë rep” për hitin e tij, “Way 2 Sexy”. Por, Drake dhe menaxhmenti i tij kanë vendosur të heqin dore nga këto nominime dhe nuk do të ketë kandidatë zëvendësues në të dy kategoritë, raporton revista “Variety”.

Megjithëse është ende e paqartë pse ai ka vendosur të tërhiqet nga gara në këtë periudhë kohore, besohet që reperi 35-vjeçar e ka marrë këtë vendim pasi në të kaluarën i kishte kritikuar ashpër organizatorët e kësaj ceremonie për mosnominimin e këngëtarit kanadez, “The Weeknd”, për ndonjë shpërblim për albumin e tij tejet të suksesshëm, “After Hours”.

“Mendoj se duhet të ndalojmë së lejuari veten të tronditemi çdo vit nga shkëputja mes muzikës me ndikim dhe këtyre çmimeve, dhe thjesht të pranojmë se ajo që dikur ishte forma më e lartë e mirënjohjes mund të mos ketë më rëndësi për artistët e kësaj gjenerate dhe atyre që do të vijnë më pas”, kishte deklaruar atë kohë reperi.

Drake i cili shquhet si një prej artistëve më fitimprurës në botë, po ashtu diskutoi për këtë çështje në llogarinë e tij në Instagram.

Reperi i cili gjatë karrierës së tij i ka fituar disa çmime “Grammy”, në një postim kishte shkruar: “Të presësh ndryshime nga organizatorët e kësaj ceremonie, është si të prisni që një i afërm i juaji ta rregullojë jetën e tij, por ai thjeshtë nuk mund ta ndryshojë veten. Një ditë më parë thashë se The Weeknd ishte zgjedhje e sigurt për t’u nominuar për albumin ose këngën e vitit, së bashku me supozime të tjera të panumërta por të arsyeshme, por gjërat nuk funksionojnë kështu kurrë”.

Ylli kanadez i muzikës rep po ashtu i krahasoi ceremonitë e ndarjes së shpërblimeve, me botën e sporteve profesionale duke theksuar që ndryshe nga lojtarët e NBA, ai garon në një sport të bazuar në opinione.