Aktorja 41-vjeçare, Tiffany Hadish dhe i dashur i saj 49-vjeçar, Common, kanë vendosur të ndahen pas vetëm një viti, kjo për shkak se që të dy janë shumë të angazhuar për të qenë në një lidhje serioze.
Një burim i afërt i çiftit ka deklaruar për revistën “People”: “Ata pothuajse kurrë nuk gjenden në të njëjtin qytet së bashku, dhe që të dy janë shumë të zënë me punë për të qenë në një lidhje serioze”.
Një tjetër burim e ka konfirmuar lajmin e ndarjes së aktorëve për kanalin “E! News”, edhe pse dyshja e famshme deri më tani nuk kanë folur publikisht rreth këtyre spekulimeve.
Ylli i komedisë, Haddish, ishte e para që e konfirmoi romancën me aktorin e famshëm hollywoodian, në gush të vitit 2020. Në një intervistë të realizuar atëkohë, ajo tha se është në një lidhje dhe gjërat po shkojnë shumë mirë, pasi edhe ishte karantinuar me të dashurin e saj.
Aktorja po ashtu e kishte zbuluar se si kjo romancë ia kishte ndryshuar jetën.
“Pa asnjë dyshim, kjo është lidhja më e mirë e jetës sime. Madje kam arritur edhe të humb peshë, kam më shumë besim tek vetja dhe jo për shkak të tij. Thjeshtë fakti që e di se e kam dikë në jetë që brengoset dhe kujdeset për mua, më pëlqen shumë kjo gjë. Unë e dua vërtetë atë”, kishte deklaruar Haddish.
Reperi dhe aktori, Common, emri i vërtetë i së cilit është Lonnie Lynn, po ashtu e kishte diskutuar romancën me yllin e filmit “Girls Trip”, në disa intervista televizive.
“Ajo është thjesht një person i mrekullueshëm dhe ka një zemër të madhe. Po mësoj të jem në një marrëdhënie serioze edhe më shumë, dhe po rritem përbrenda si njeri. Unë thjeshtë kam shumë respekt për gratë mbretëresha dhe ajo është e tillë”.
Common gjithashtu e pati pranuar se aktorja e cila di ta shijojë jetën në maksimum, ka ndikuar shumë në jetën e tij dhe energjia pozitive që ajo e sjell si komediane dhe njeri, e kishte frymëzuar atë që të përcjellë më shumë gëzim tek njerëzit, përmes muzikës së tij.