Showbiz

Rita Ora e ka njoftuar të dashurin Taika Waititi me prindërit e saj

Foto: AP/Associated Press

Duket se lidhja mes dyshes, Rita Ora dhe Taika Waititi, është mjaft serioze.

Çifti i dashuruar që e filloi lidhjen romantike në fillim të këtij viti, dukej mjaft i afërt gjatë paraqitjeve të fundit mbi qilim të kuq dhe tani mediat e huaja raportojnë se këngëtarja me prejardhje kosovare e ka njoftuar regjisorin 46-vjeçar të shpërblyer me “Oscar”, me prindërit e saj, Besnik dhe Vera, të cilët jetojnë në Londër.

Ylli i filmave “Fifty Shades Freed”, Ora, në një intervistë të fundit e kishte pranuar se po kalon nëpër një periudhë shumë të mirë me të dashurin e saj.

Këngëtarja 30-vjeçare e hitit “I Will Never Let You Down” e cila në të kaluarën ka qenë në lidhje dashurie me të famshmit, Calvin Harris, Ricky Hil dhe Rob Kardashian, ngurron të flas hapur për lidhjet romantike dhe jetën e saj personale, kjo ngase ka mësuar nga gabimet e kaluara. Por, Rita e ka konfirmuar lajmin se lidhja e saj me Taikan po shkon shumë mirë.

“Jam në një periudhë të mirë të jetës, dhe kjo është e tëra që do të them për lidhjen time të dashurisë. Thjeshtë, me gjithë respektin mendon se privatësia në jetë është e rëndësishme. Kam mësuar shumë nga gabimet që i kam bërë gjatë të 20-ave”, ka deklaruar këngëtarja.

Gjatë verës filluan të qarkullojnë lajmet se Rita Ora, e cila vitin e kaluar e bleu një shtëpi të re në Londër, po planifikon të zhvendoset në Los Angeles për të jetuar me regjisorin e filmit “Jojo Rabbit”.

Sipas raportimeve në media, besohet që arsyeja e vetme e këtij vendimi të këngëtares dhe aktores së famshme, nuk është lidhja e saj romantike por edhe puna dhe karriera. Vjetëve të fundit asaj i ishte dashur të udhëtojë vazhdimisht për në Shtetet e Bashkuara për punë, prandaj mendon se është ide e mirë që tash e tutje ta ndajë jetën mes dy shteteve, Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

{gallery}