Showbiz

De Armas me rol në filmin “John Wick”

Ana De Armas po përflitet se do të jetë pjesë e filmit “John Wick”.

Aktorja 33-vjeçare, e cila së fundmi u shfaq përkrah Daniel Craig në “No Time to Die”, pritet të ketë rol në pjesën e veçantë të filmit që do të titullohet “Ballerina”.

Ky projekt do ta tregojë historinë e një vrasëse të re, e cila përpiqet të marrë hak kundër njerëzve që ia vranë familjen.

Personazhi ishte shfaqur në “John Wick: Kapitulli 3- Parabellum” nw vitin 2019.

Len Wiseman do të jetë regjisor i filmit, bazuar në një skenar të shkruar nga Shay Hatten.

Filmi i ardhshëm do të prodhohet nga Basil Iwaynk, Erica Lee dhe Chad Stahelski, kurse buxheti i përgjithshëm mendohet të jetë në mes 50 dhe 80 milionë dollarë.

Megjithëkëtë, nuk dihet ende në film nëse do të shfaqet Keanu Reeves - aktori i cili e luan rolin e John Wickut.

Ndërkohë, Ana e ka pranuar se i duhej guxim për t’i bërë ëndrrat e saj realitet.

Aktorja është rritur në Santa Cruz Del Norte në Kubë dhe kishte rrëfyer se të bëhej yll filmi dukej si një ëndërr e largët gjatë fëmijërisë.

“I kisha aty, para syve të mi, njerëzit që nuk punonin e që nuk kishin para. Në televizor nuk shikoja asgjë tjetër veçse riprodhime të telenovelave të vjetra ose gjëra të cilësisë së dobët”, ka thënë aktorja De Armas.

Për herë të parë, Ana kishte ëndërruar të bëhej aktore e njohur në moshën 12-vjeçare. Megjithëkëtë, kërkohej shumë kurajë dhe ambicie për ta arritur qëllimin.

“Në shtëpinë time, nuk kemi pasur kurrë DVD apo VHS. I shikonim filmat te shtëpia e fqinjit. Nëse shihja ndonjë skenë që më pëlqente shumë, të luajtur nga një grua a burrë, vrapoja te pasqyra për ta përsëritur skenën. E kur kthehesha në shtëpi unë i luaja rolet për vëllain tim, ngaqë ai nuk e kishte parë filmin”, ka thënë ajo.

“Nuk mund të ëndërroja për asgjë tjetër jashtë Kubës. Rriteshim duke menduar se kjo ishte gjithë çka na duhej, që në njëfarë mënyre është e vërtetë. Mund të keni ëndrra të mëdha në Kubë, por shumë pak njerëz e kanë guximin t’i realizojnë”, ka shtuar aktorja.