Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora dhe regjisori i famshëm nga Zelanda e Re, Taika Waititi, shkëlqyen mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës së filmit “Eternals”, në Los Angeles të Kalifornisë.
Çifti u shfaq plot stil dhe energji në këtë ngjarje, me ç’rast i shoqëruan yjet e listës A në Hollywood të tillë si, Angelina Jolie, Richard Madden dhe Salma Hayek, në festën e lansimit të filmit të shumëpritur të studios “Marvel”.
Teksa pozuan para fotografëve, 30-vjeçarja Ora dhe 46-vjeçi Waititi, dukeshin tejet të lumtur në përqafimin e njëri-tjetrit.
Ylli i hitit “Anywhere” u shfaq me një pamje engjëllore e veshur me fustan të gjatë të bardhë, të shoqëruar me aksesorë vezullues dhe grim të lehtë. Kurse, regjisori i filmit “Thor: Love and Thunder” ishte kombinuar bukur me të dashurën e tij, me një kostum pak më modern ngjyrë hiri.
Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me angazhime për çiftin e ri të showbizit, i cili gjatë fundjavës e ndoqi koncertin e grupit “Rolling Stones” në LA, ku po ashtu ishin kombinuar duke veshur xhaketa të njëjta.
Rita dhe Taika besohet se e filluan lidhjen romantike në mars të këtij viti, gjatë kohës sa këngëtarja po qëndronte në Australi për xhirimet e shout “The Voice”, kurse regjisori i famshëm po punonte rreth realizimit të filmit të ardhshëm “Thor”.
Debutimin e tyre si çift mbi qilim të kuq, e shënuan në muajin gusht me rastin e premierës së filmit “The Suicide Squad”. Po atë muaj, e festuan ditëlindjen e 46-të të regjisorit në shoqërinë e yjeve të njohur të showbizit, si Kate Beckinsale, Kristen Stewart, Charli XCX, Jodie Turner-Smith dhe Ashley Benson.
Nga aty, Ora dhe Waititi e kanë përkrahur njëri-tjetrin publikisht si çift në disa ngjarje të ndryshme, përfshirë këtu ceremoninë glamuroze të modës “Met Gala”.
{gallery}