Aktorët Matt Damon dhe Ben Affleck “nuk e dinin se çfarë po bënin” kur shkruan skenarin e filmit “Good Will Hunting” që i bëri të famshëm.
51-vjeçari dhe 49-vjeçari së bashku shkruan filmin që fitoi çmimin “Oscar” në mesin e viteve ’90. Kjo ndodhi para se të ishin të njohur në Hollywood dhe Damon ka pranuar se shkrimi i skenarit u mori shumë kohë.
Damon, miqësia e të cilit me Affleckun daton që prej shkollës së mesme, ka thënë se në kohën e filmit ishin keq financiarisht.
“Mendoj se ‘Good Will Hunting’ na mori shumë kohë. Ishim dy djelmosha të papunë. Na mori shumë kohë skenari i filmit”, ka thënë Damon.
“Kemi shkuar me mijëra faqe dhe nuk e dinim se çfarë po bënim. E kemi lënë anash këtë punë tani, sepse mendoj se nuk do të kishim kohë”, ka shtuar aktori.
Në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, Damon ka pranuar se shpejtësia me të cilën shkruajnë është përmirësuar ndjeshëm në 25 vjetët e fundit.
Aktorët që shkruan bashkë filmin e ri “The Last Duel”, ka shtuar se përvoja u ka ndihmuar shumë për filmin e ri.
“E kemi gjetur strukturën në këto 25 vjet të realizimit të filmave dhe gjithçka shkoi shumë më shpejt”, ka thënë Damon.
Ndërkaq Affleck ka reaguar kur në emision u shfaq një fotografi e aktorëve gjatë realizimit të filmit “Good Will Hunting”.
“Nuk do ta kishit menduar kurrë se këta dy idiotë do të jenë ende këtej”, ka thënë me shaka aktori Affleck, i cili ka pranuar se ishte befasuar me suksesin e filmit.
“Ishim të shtangur me atë që po ndodhte, sepse nuk e mendonim veten me ndonjë punë tjetër. Qëllimi ishte që të bëjmë një videokasetë, që do të dukej si një film i mirë”, ka thënë Affleck.
Matt dhe Ben u bashkuan për filmin “The Las Duel”. Mirëpo aktori Matt Damon ka pranuar se nuk e ka menduar se do të gjente kohë për bashkëpunim me shokun e tij të ngushtë.
“Ne menduam se shkrimi i skenarit do të na konsumonte kohën dhe nuk do të ishim në gjendje ta realizonim filmin”, ka thënë Damon.