Showbiz

Amber Heard flet për fuqizimin e gruas

Foto: AP/Associated Press

Aktorja amerikane, Amber Heard, thotë se fuqizimi i vërtetë i grave vjen atëherë kur ato do të mund ta jetojnë të vërtetën e tyre, t’i mbrojnë idetë dhe veten, dhe të mos kenë frikë ta shprehin lirshëm mendimin.

Ylli i njohur i hollywoodit e realizoi një intervistë pak para sfilatës së markës “L’Oreal” në Paris, e cila i dedikohet fuqizimit të grave. Aktorja është ambasadore e kësaj kompanie të kozmetikës, e cila e ka lansuar një fushatë për inkurajimin e grave dhe burrave që ndërhyjnë në mënyrë të sigurt, nëse përjetojnë ose dëshmojnë ngacmime në rrugë.

Heard ndër të tjera tha se ngacmimet në rrugë janë diçka që gratë i kanë përjetuar gjithmonë, por janë mësuar t’i marrin si veti normale.

“Fuqizimi kalon përtej ndjesisë së sigurisë apo bukurisë. Fuqizim për mua, është ta jetosh të vërtetën tënde, të luftosh për veten dhe ta shprehësh lirshëm mendimin tënd. Dhe ajo që më pëlqen më së shumti për faktin se jam pjesë e iniciativës së “L’Oreal Paris”, është se ajo prek tema të tilla si ngacmimi seksual në rrugë, gjë që besoj se secila grua e përjetuar dhe është mësuar të marr si diçka normale dhe të zakonshme. Nëse gratë dhe vajzat anembanë botës nuk mund të ndihen të sigurta vetëm duke ecur rrugës, atëherë si mund të presim të jemi të barabarta ose të respektohemi në vendin e punës apo edhe në shtëpi? Prandaj, më pëlqen të jep pjesë e familjes “L’Oreal Paris”, sepse është një markë që ka më shumë se 50 vjet që në formë ikonike u thotë grave se ‘janë të vlefshme’, dhe po ashtu e jetojnë dhe mishërojnë atë frymë të feminizmit në thelb. Këtë e bëjnë përmes iniciativave të tyre, përmes vendimeve në biznes si dhe përmes ambasadoreve të kësaj marke. Ndihem e nderuar që jam këtu në mesin e këtyre grave dhe burrave të mrekullueshëm, për ta mishëruar dhe festuar me të vërtetë atë shpirt të feminizmit”.

Aktorja e cila është duke e xhiruar filmin “Aquaman 2” në Londër, në Paris shoqërohej nga vajza e saj e vogël, Oonagh Paige.

35-vjeçarja e cila dikur ishte e martuar me yllin e kinematografisë, Johny Depp, tha se të bërit nënë ishte dhurata më e bukur që e ka përjetuar ndonjëherë.

“Është dhurata më e bukur që e kam përjetuar ndonjëherë, dhe definitivisht e ka ndryshuar jetën time në çdo aspekt të mundshëm. Por në veçanti, ndihem e përmbushur që si grua po e rris një vajzë për t’u shndërruar në grua të pavarur. Kurrë më parë nuk ka qenë më e rëndësishme të avokosh në emër të fuqizimit të grave dhe të drejtave të grave në përgjithësi. Apo të luftosh për barazi, sepse unë dua që ajo të jetojë në një botë në të cilën është e lirë të ecë nëpër rrugë pa ngacmime, në të cilën ajo mund të gëzon këtë liri edhe në sfera tjera të jetës, siç është vendi i punës apo edhe shtëpia e saj. Roli i nënës i ka bërë këto gjëra edhe më të rëndësishme për mua, dhe më bënë të luftojë edhe më shumë për ta bërë këtë një botë më të mirë të cilën nesër mund ta trashëgojë vajza ime”.

E pyetur nëse do ta inkurajonte të bijën që t’i ndjekë hapat e saj si aktore, Heard tha se fatkeqësisht industria e filmit është e mbushur me problemet he padrejtësitë për femrat. Por, pavarësisht kësaj, ajo do ta mbështesë vajzën e saj në çfarëdo profesioni që e përzgjedh.

Të dielën në kuadër të Javës së Modës në Paris, marka franceze e modës “L’Oreal” e mbajti sfilatën e katërt nga viti 2017, e cila zuri vend në një lokacion të jashtëzakonshëm të kryeqytetit francez. Kësaj radhe, modelet parakaluan në skenën e vendosur para Kullës së Eiffelit, në ngjarjen që iu dedikua të drejtave njerëzore dhe e cila u ndoq nga njerëz të zakonshëm, dhe jo vetëm mysafir special të industrisë së modës.

Ky shou iu dedikua fuqizimit të grave si dhe ka për qëllim mbështetjen e iniciativës së kësaj kompanie, “Stand up Against Street Harassment”, e cila po punon shumë në sigurinë e grave anembanë botës që të jenë të lira të ecin rrugëve apo në vende publike, pa përjetuar frikë apo ngacmim.

Diversiteti ishte një tjetër temë e madhe e sfilatës, duke qenë se pjesë e saj ishin gra të formave, ngjyrave, moshave apo profesioneve të ndryshme, si Helen Mirren, Katherine Langford, Camila Cabello, Aja Naomi King, Soo Joo Park, Amber Heard, Aishwarya Rai dhe Nicolaj Costner Walda.