Showbiz

Kënga e papublikuar e John Lennonit nxirret në ankand

Descriptive Text

Gjysmë shekulli më parë, katër adoleshentë danezë e kishin intervistuar John Lennonin për revistën e shkollës së tyre.

Një kasetë 33-minutëshe e bisedës, që gjithashtu përfshin edhe një këngë të papublikuar ndonjëherë nga anëtari i ndjerë i bendit legjendar “Beatles”, do të dalë në ankand në fund të këtij muaji.

Nxënësit asokohe 16-vjeçarë nuk ishin të mahnitur me yllin në kohën kur e kishin realizuar intervistën në veri të Danimarkës, 5 janarin e 1970-s.

Në kulmin e luftës së Vietnamit dhe Luftës së Ftohtë, Lennoni dhe bashkëshortja e tij, Yoko Ono, kishin “një mesazh paqeje dhe kjo ishte ajo që ishte e rëndësishme për ne”, kujton Karsten Hoejen, e cila e realizoi regjistrimin me një magnetofon të huazuar nga një dyqan vendor.

Lennon dhe Ono ndodheshin në rajonin danez Thy, ku ylli i “The Beatles” ishte transferuar dhe kishte marrë me vete Kyokon, bashkë me vajzën pesëvjeçare të çiftit. Ata qëndruan aty rreth një muaj dhe ishin munduar që të fshiheshin, gjë kjo që u funksionoi vetëm për rreth një javë.

Pastaj një gazetë lokale raportoi për praninë e tyre dhe shtypi, nxitoi që t’i intervistonte.

Katër 16-vjeçarët donin që ta intervistonin Lennonin për revistën e shkollës, por u vonuan në konferencën zyrtare për shtyp. Ata trokitën në derën e shtëpisë së tij dhe pas pak u ndodhën të ulur pranë muzikantit britanik dhe Onos.

Lennoni luajti dhe këndoi bashkë me Onon këngën “Give peace a chance” dhe më pas e kënduan edhe “Radio Peace”.

“Ishte realizuar për një radiostacion në Holandë, porse nuk është transmetuar kurrë”, ka thënë Hoejeni, raporton “Associated Press”.

Artikulli, kaseta, 23 fotografi dhe një kopje e revistës së shkollës, janë llogaritur të kenë vlerë prej të paktën 31.800 dollarësh.

Shtëpia e ankandeve në Danimarkë, “Bruun Rasmussen”, do t’i nxjerrë artikujt në ankand duke nisur nga 28 shtatori.