Showbiz

Britney Spears është fejuar me Sam Asgharin

Foto: AP/Associated Press

Të dielën ylli i njohur i muzikës, Britney Spears, e bëri të ditur lajmin se është fejuar me të dashurin e saj, Sam Asghari, tre muaj pasi i tha një gjykatësi në Los Angeles se kujdestaria ligjore ndaj saj e vendosur në vitin 2008, po ia vidhte të drejtën për të marrë vendime personale.

Brandon Cohen, menaxheri i modelit dhe aktorit, Sam Asghari, e konfirmoi lajmin e fejesës së çiftit të dielën mbrëma.

“Sam dhe Britney sot e kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre disa vjeçare, dhe po ndihen tejet të prekur dhe emocionuar me përkrahjen, dedikimin dhe dashurinë që e kanë marrë nga publiku”, ka deklaruar Cohen në një prononcim për media.

Spears dhe Asghari e kanë ndarë një video me ndjekësit e tyre në Instagram përmes së cilës e paralajmëruar fejesën, me ç’rast ylli i njohur i muzikës e zbuloi edhe unazën e saj me diamant.

Sipas Cohenit, unaza është dizajnuar nga argjendari i New Yorkut, Roman Malayev.

Fejesa vjen vetëm disa ditë pasi avokatët e babait të këngëtares, James P. Spears, në një dokument drejtuar gjykatës kishin shkruar: “Nëse Britney dëshiron t’i jap fund kujdestarisë ligjore dhe beson se mund ta menaxhojë jetën e saj, James Spears beson se ajo duhet ta ketë këtë mundësi”.

Ylli i hitit “Stronger” në muajin qershor iu drejtua gjykatës me një fjalim personal dhe të detajuar, me ç’rast deklaroi se kujdestarët e saj ligjor e kanë droguar, detyruar të punojë si dhe nuk e kanë lejuar ta largojë pajisjen e cila ia ndalon mundësinë për të mbetur shtatzënë.

“Thjeshtë dua të më kthehet jeta ime. Unë me të vërtetë besoj se kjo kujdestari është abuzive. Nuk mendoj se mund ta jetoj jetën tërësisht siç unë dua”.

Tutje në deklaratën e saj, Spears kishte thënë se kujdestaria ligjore ndaj saj e ka penguar edhe të martohet dhe të ketë fëmijë.

Në një betejë shumë të kontestuar ligjore, në muajin korrik Spears bëri kërkesë që babai i saj të hiqet nga roli i tij si kujdestar i pasurisë së saj. James fillimisht e kundërshtoi kërkesën e së bijës, por gjatë muajit gusht njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga ky rol dhe do të punojë me gjykatën për ta siguruar kalimin e rregullt të një kujdestari të ri.

Seanca e radhës dëgjimore në rastin e kujdestarisë së këngëtares, është caktuar për datën 29 shtator.

Spears e ka takuar Asgharin në vitin 2016, derisa ai ishte pjesë e videoklipit të saj muzikor, “Slumber Party”. Sam Asghari shquhet edhe si aktorë i disa filmave dhe serialeve televizive, njihet për angazhimin e tij si model por edhe si trajner i fitnesit.

Në të kaluarën, Britney Spears ka qenë e martuar dy herë. Në vitin 2004 ajo ishte kurorëzuar me mikun e fëmijërisë, Jason Alexander, por martesa ishte anuluar pas 55 orësh. Në të njëjtin vit, pop ylli i njohur u martua me valltarin e saj, Kevin Federline, me të cilin i ka dy djem. Spears bëri kërkesë për shkurorëzim nga Federline në vitin 2006, dhe nga atëherë, valltari, aktori dhe reperi e gëzon kujdestarinë e plotë të fëmijëve të tyre, Sean Preston dhe Jayden.

{gallery}