Artisti i zhanrit hip-hop, Snoop Dogg, do ta nisë turneun muzikor vitin e ardhshëm. Ylli muzikor amerikan i ka shpallur zyrtarisht datat për turneun në Australi të quajtur “I Wanna Thank Me”.
Koncerti i parë i Snoopit është caktuar të jetë në Perth më 26 tetor, 2022. Më pas ai do të niset drejt Sidneit, për të vazhduar për në Melburn dhe Brisban.
Fansat mund t’i blejnë biletat që janë në lirim nëpërmjet “Telstra Plus™” nga e premtja, 10 shtator, prej orës 12:00.
Ndërkohë, biletat e përgjithshme publike do të jenë në dispozicion nga e hëna, 13 shtator, prej orës 16:00. Ato mund të blihen nga “Ticketek”.
Ky turne vjen pas dokumentarit të Snoop Doggit me po të njëjtin emër, që feston 25 vjetët e tij mbresëlënës në industrinë muzikore.
Hera e fundit që Snoop i ka vizituar brigjet australiane ishte në vitin 2014, kur kishte qenë një ndër artistët kryesorë që kishte performuar në festivalin muzikor “Big Day Out”.
Snoop Dogg, emri i vërtetë i të cilit është Calvin Cordozar Broadus Jr., ka kohë që përmendet për lidhjet me kanabisin, por ai i është futur biznesit të industrisë mjekësore më 2015, kur ishte bërë investitor minoritar në shërbimin “Eaze” me bazë në Kaliforni.
Përpos si këngëtar, ai e ka vazhduar karrierën edhe si aktor duke u shfaqur në disa filma dhe seri televizive. Ai është akuzuar edhe për disa aktivitete kriminale. Jeta, muzika dhe telashet me ligjin e kanë mbajtur pjesë të kryetitujve që nga fillimi i karrierës.