Showbiz

Festivali “Lollapalooza” e largoi reperin DaBaby nga lista e performuesve

Foto: AP

DaBaby është larguar nga lista e performuesve të festivalit “Lollapalooza”, për shkak të komenteve homofobike që i kishte bërë gjatë koncertit të tij në festivalin “Rolling Loud”.

Ylli i hitit “Suge” është kritikuar ashpër pas komenteve të pahijshme të cilat i kishte bërë në fundjavën e kaluar, duke i fajësuar personat e komunitetit LGBTQ për sëmundjet e transmetuara seksualisht.

Dhe si rezultat, tani reperi është larguar nga lista e performuesve në një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në Amerikë, vetëm disa orë para se të dilte bë skenë për të performuar.

Në një postim në Instagram, organizatorët e festivalit kanë shkruar: “Lollapalooza është themeluar mbi diversitetin, gjithëpërfshirjen, respektin dhe dashurinë. Për këtë arsye, DaBaby nuk do të performojë sonte në parkun ‘Grant’”.

Për shkak të këtyre komenteve, artisti 29-vjeçar gjithashtu e ka humbur një marrëveshje biznesi me kompaninë e rrobave, “BooHooMAN”. Ata e kanë dënuar përdorimin e gjuhës homofobike nga reperi si dhe e kanë konfirmuar se më nuk do të bashkëpunojnë me të.

DaBaby, emri i vërtetë i së cilit është Jonathan Kirk, u kritikua ashpër dhe u dënua për komentet e pandjeshme në koncertin e tij, edhe nga yje të tjerë të muzikës, si Sir Elton John, Madonna dhe Dua Lipa.

Por, ylli i hitit “Ball If I Want To” sërish ka tentuar t’i arsyetojë veprat e tij duke thënë se fansat e pranishëm në skenë, si heteroseksual ashtu edhe ata homoseksual, e kanë shijuar performancën e tij. Reperi gjithashtu insistoi se njerëzit nuk mund ta kritikojnë atë nëse nuk kanë qenë vet të pranishëm në koncert, për ta parë se si ka ndodhur ngjarja.

DaBaby megjithëkëtë përfundoi duke kërkuar falje publike në rrjetin social Twitter, me ç’rast deklaroi: “Çdo kush që është i prekur nga virusi HIV apo sëmundja SIDA, ka të drejtë të mërzitet, sepse ajo që e kam thënë ishte e pandjeshme, ani pse asnjëherë nuk kam për qëllim ta ofendojë dikë. Prandaj, ju kërkojë falje. Por komuniteti LGBTQ… unë nuk merrem me ju. Ajo çka ju bëni, është puna juaj”.

DaBaby është një prej bashkëpunëtorëve të fundit të pop këngëtares Dua Lipa. Së bashku ata e kanë realizuar versionin remix të hitit “Levitating”. Kënga gëzon popullaritet dhe sukses të jashtëzakonshëm në toplistat muzikore, si dhe i numëron mbi 317 milionë klikime në YouTube.