Showbiz

Angelina Jolie mund ta ketë adoptuar djalin e saj Maddox me dokumente të falsifikuara

Një dokumentar i cili do të publikohet së shpejti mund të hedhë në dritë praktikat potencialisht jo etike të adoptimit që janë përdorur në Kamboxhia, e që pre e tyre mund të jetë bërë edhe e famshmja, Angelina Jolie.

Në vitin 2002, Jolie kishte adoptuar nga ky shtet aziatik djalin e saj Maddox. Jolie këtë e kishte arritur me ndihmën e agjentes së adoptimit, Lauryn Galindo, i cila ishte arrestuar në vitin 2004 nën akuzat për “falsifikim të dokumenteve për të siguruar viza amerikane për jetimë”.

Kineastja 21-vjeçare, Elizabeth Jacobs, prindërit e së cilës kishin përdorur po ashtu Galindon për të lehtësuar adoptimin e fëmijës së tyre nga Kamboxhia, do të rishikojë pretendimet se “familjet e varfra të Kamboxhias janë bërë pre e rekrutëve të foshnjave. Konkludimet nga rishikimet e saj, ajo do t’i hedhë në dokumentarin i cili pritet të publikohet së shpejti, me titull “Stolen Children”.

Gazeta “The Sun” ka zbuluar se Jacobs, e cila është studente e filmit dhe marketingut në Universitetin e Massachusettsit, është e vendosur që të hedhë në dritë të vërtetën lidhur me adoptimet e Galindos.

Image
Foto: Djali i Angelina Joliet- Maddox/AP

Sipas atyre që ka zbuluar gazeta, mes viteve 1997 dhe 2001, gjysma e adoptimeve nga Kamboxhia për në SHBA, mesatarisht 800 nga 1,600, kanë kaluar përmes Galindos, transmeton Koha.net.

Atë kohë, Galindo dhe motra e saj Lynn Devin, drejtonin një agjenci të adoptimit të quajtur “Seattle International Adoptions”, dhe vetëm pak pasi aktorja hollivudiane Angelina Jolie kishte adoptuar djalin e saj Maddox, ato të dyja u akuzuan për krime.

Devin ishte dënuar me gjobë prej 150,000 dollarësh ndërkaq Galindo ishte burgosur për falsifikim të emrave, datave të lindjeve dhe vendeve të lindjeve të fëmijëve të Kamboxhias, të cilët ajo i kishte ndihmuar që të bëheshin pjesë e familjeve të shumta amerikane. Burgosja e Galindos kishte ndodhur vetëm dy vjet pasi Jolie dhe bashkëshorti i saj i atëhershëm, Billy Bob Thornton, kishin marrë kujdestarinë e plotë të Maddoxit.

Në kohën kur ishte zbuluar ky skandal, Qeveria amerikane dhe disa shtete të tjera kishin ndaluar adoptimet nga Kamboxhia, derisa Jolie kishte deklaruar se nuk dinte asgjë për këto veprime ilegale. Deri tani nuk ka ndonjë evidencë se Maddoxi nuk është jetim. Jolie po ashtu kishte deklaruar atë kohë, se kishte bërë shumë përpjekje për tu siguruar se Maddoxi nuk kishte nënë në Kamboxha duke shtuar se asnjëherë nuk do t’ia merrte fëmijën një nëne.

Angelina Jolie dhe ish-bashkëshorti i saj, Brad Pitt ndajnë kujdestarinë për gjashtë fëmijët e tyre, binjakët Viviene dhe Knox, Shiloh, Maddox, Zahara dhe Pax.

Derisa Maddox ishte adoptuar nga një jetimore në Kamboxhia, Zahara ishte adoptuar në Etiopi e Pax në Vietnam.

Në vitin 2017, një ndihmës punëtor kishte deklaruar se dokumentet që Jolie kishte përdorur për të adoptuar djalin e saj më të madh, Maddox, përmbanin informacione të falsifikuara.