Showbiz

“BLACKPINK” entuziazmon fansat me paralajmërimin e projektit të ri

Descriptive Text

Grupi i muzikës K-pop i përbërë nga katër vajza, “BLACKPINK”, e ka bërë të ditur lansimin e një projekti të ri misterioz, pak para 5-vjetorit të themelimit.

Bendi nga Korea Jugore e bëri paralajmërimin e ri në rrjetet sociale, me postimin e mesazhit ku shkruhej, “4+1 PROJECT”, të shoqëruar me një fotografi të mistershme.

Nuk dihen shumë detaje rreth lansimit të ardhshëm apo mënyrës se ai anëtaret e grupit shumë të pëlqyer anembanë botës, kanë vendosur ta festojnë përvjetorin e pestë të themelimit të “BLACKPINK”, por pritet që në javët në vazhdim të publikohen më shumë informata.

Ndërkohë, gjatë këtij një viti e gjysmë kaotik për mbarë botën, anëtaret e grupit, Lisa, Rosé, Jisoo dhe Jennie, e kanë mbajtur veten të angazhuar me projekte muzikore individuale.

Në muajin mars, Rosé e publikoi albumin e parë solo me titull “R”. Krahas këtij incizimi që ka marrë dy vjet për t’u finalizuar, ylli i muzikës K-pop gjithashtu i lansoi dy këngët, “On The Ground” dhe “Gone”, që të dyja në gjuhën angleze.

Anëtarja tjetër e grupit, Lisa, pritet që gjatë këtij muaji t’i lansojë solo projektet e saja. Në maj të këtij viti, këngëtarja dhe valltarja shumë e pëlqyer nga fansat, bashkëpunoi me bendin e djelmoshave “iKON” në krijimin e një version të ri të hitit, “Pretty Savage”, nga “BLACKPINK”. Një tjetër bashkëpunim nga Lisa dhe DJ Snake pritet të lansohet së shpejti.

Kurse, Jisoo pritet që së shpejti të luaj në serialin televiziv nga Korea Jugore, “Snowdrop”, i cili e fillon transmetimin në fundit të këtij viti. Në anën tjetër, Jennie e shënoi debutimin e saj si solo artiste në vitin 2018, me lansimin e albumit të titulluar, “Solo”.