Showbiz

“Midnight in the Switchgrass” filmi që e bashkoi çiftin Fox dhe Kelly

Foto: AP/Associated Press

Është publikuar traileri i parë i filmit “Midnight in the Switchgrass” në të cilin luan çifti i njohur i showbizit, Megan Fox dhe Machine Gun Kelly.

Fox, e cila është në lidhje romantike me Kellyn nga viti 2020, për herë të parë e kishte takuar këngëtarin e shndërruar në aktor, në sheshin e xhirimeve të këtij filmi të zhanrit triler, ku luajnë edhe aktorët Bruce Willis dhe Emile Hirsch.

Në pamjet e para të lansuara të këtij projekti, Fox shfaqet në rolin e një agjenteje të fshehtë të FBI-së e cila e joshë personazhin e Kellyt në një dhomë moteli, para se mes tyre të shpërthejë një përleshje e dhunshme.

“Nuk e di nëse njerëzit e kuptojnë çfarë aktori i mirë është ai. Kelly është aq karizmatik, i talentuar dhe shumë i thellë në rolet e tij”, ka deklaruar Fox për portalin “ET Online”, teksa fliste për kolegun dhe partnerin e saj.

Filmi e rrëfen historinë e dy agjentëve të FBI-së të portretizuar në film nga Fox dhe Willis, teksa mundohen ta zënë një vrasës serik i cili i kidnapon femrat e reja në vendet e rezervuara për ndalesat e kamionëve.

Në intervistën e saj të fundit, Megan Fox e përshkroi yllin e hollywoodit, Bruce Willis, një legjendë, ikonë të kinematografisë dhe një prej personave më të sjellshëm që i ka takuar në jetë.

Kjo është hera e tretë që Fox dhe Kelly shfaqen së bashku në ekran, pasi aktorja 35-vjeçare mori pjesë si protagoniste në videoklipet muzikore të Kellyt, “Bloody Valentine” dhe “Drunk Face”.

Përveç këtij projekti, Megan Fox shumë shpejtë do të paraqitet me rol në filmin komik, “Big Gold Brick”, ku luan krahas yjeve të kinematografisë, Oscar Isaac dhe Andy Garcia. Kurse, Machine Gun Kelly emri i vërtetë i së cilit është Colson Baker, luan krahas modeles së shndërruar në aktore, Cara Delevingne, në trilerin e ardhshëm “Punk”.

Filmi “Midnight in the Switchgrass” do të lansohet në kinematë e Amerikës, më 23 korrik 2021.