Showbiz

Willis dhe Travolta kundër njëri-tjetrit në filmin e ri

John Travolta dhe Bruce Willis u paraqitën së bashku në filmin komedi të Quentin Tarantinos, “Pulp Fiction”.

Pas 27 vjetësh, dy burrat legjendarë do të ribashkohen në ekran në filmin e ardhshëm aksion “Paradise City”.

Produksioni i filmit, i cili konsiderohet se është i ngjashëm me “Miami Vice”, por me gjuetarë kriminelësh në vend të policëve, do të fillojë të realizohet në Maui, Hawaii, të hënën, sipas “Deadline”.

Willis, 66-vjeçar, portretizon një ndjekës kriminelësh të quajtur Ryan Swan, i cili hakmerret ndaj botës së krimit në Hawaii.

Vëmendja e Swanit do të drejtohet në veçanti te një prej mbretërve të krimit, që portretizohet nga Travolta, 67-vjeçar, kur gangsterit ia vret babanë.

Aktorja tajlandeze, 32-vjeçarja Praya Lundberg, do të portretizojë një nga rolet kryesore të filmit me regji nga Chuck Russell.

Regjisori nga Illinois ka drejtuar filmat e famshëm si “The Mask” (1994), “Eraser” (1996) dhe “The Scorpion King” (2002) gjatë karrierës së tij pesëdekadëshe në Hollywood.

Herën e fundit kur Willis dhe Travolta luajtën së bashku ishte kur u paraqitën në “Pulp Fiction”, si boksieri Butch Coolidge dhe anëtari i organizatës kriminale Vincent Vega.

Shumë njerëz do të pajtoheshin: Travolta luajti vrasësin e varur nga droga deri në përsosmëri. Me këtë do të rigjallëronte karrierën e tij të aktrimit, gjë që do të çonte drejt nominimit të tij të dytë për “Oscar”.

Dhe kush mund ta harrojë Willisin si Butch në betejën e tij me gangsterin Marsellus Wallace (të portretizuar nga Ving Rhames) dhe përballjen përfundimtare të çiftit me Zedin, Maynardin dhe Gimpin.

Willis dhe Travolta kanë qenë gjithashtu pjesë e filmit të 1989-s “Look Who's Talking” dhe “Look Who's Talking Too” më 1990.

Kur vlerësohet vlera e karrierës së tyre me vlera monetare, Willis ka grumbulluar mbi 9,4 miliardë dollarë në arka në mbarë botën falë aktrimit, kurse Travolta ka fituar mbi 3.8 miliardë dollarë në të gjithë botën.