Aktori i shpërblyer me “Oscar”, Kevin Spacey, po vazhdon betejën me drejtësinë pas akuzave nga një person i paidentifikuar, i cili deklaroi se ishte abuzuar seksualisht nga Spacey në vitin 1980.
Por, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Manhattan i caktuar në rastin e aktorit, Lewis A. Kaplan, refuzoi ta lejonte akuzuesin e njohur vetëm me inicialet, C.D, që ta vazhdojë procesin gjyqësor në mënyrë anonime.
Pala paditëse pretendon se Spacey e abuzoi atë seksualisht në moshën 14 vjeçare. Ai e kishte takuar yllin e kinematografisë në një kurs aktrimi në periferi të New Yorkut, shumë vjet më parë. Ndërkaq në gjykatë ai po kërkon dëmshpërblim mbi 40 milionë dollarë.
Sipas gjyqtarit Kaplan, interesi për privatësi i paditësit C.D, nuk e tejkalon rregulloren e procedurave të hapura gjyqësore.
Që nga viti 1990, paditësi kishte folur me një numër të konsiderueshëm njerëzish për pretendimet e tij kundër Spaceyt. Ai po ashtu kishe bashkëpunuar me revistën online, “Vulture”, rreth botimit të një artikulli në vitin 2017.
Kaplan deklaroi se të gjitha provat sugjerojnë që C.D me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të përsëritur, kishte rrezikuar që secili nga këta individ në një moment ta zbulojnë identitetin e tij të vërtetë, duke e sjellë situatën deri tek vëmendja e publikut.
Gjykatësi po ashtu theksoi se paditësi gjatë këtij procesi, bashkëpunoi edhe me ish-akuzuesin e Kevin Spaceyt, Anthony Rapp, i cili po ashtu pretendoi se ishte ngacmuar seksualisht nga aktori i famshëm.
Sipas Kaplanit, pretendimet e avokatëve të paditësit C.D që të mos zbulohet identiteti i tij për shkak të stresit post-traumatik, nuk vlejnë më. Prandaj ai detyrohet të dalë publikisht të dëshmojë kundër abuzuesit të tij të pretenduar.
Gjykatësi i’u dha 10 ditë kohë avokatëve që ta zbulojnë emrin e vërtetët të klientit të tyre, nëse ai vazhdon me akuzat kundër aktorit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.