Showbiz

Në “The Terminal List”, Pratt i përvishet punës për një rol krejtësisht ndryshe

Chris Pratt ka ndryshuar tërësisht pamjen gjatë xhirimeve për filmin e tij të radhës “The Terminal List”, në Hermosa Beach të Californias.

Aktori 41-vjeçar i filmit “The Guardians Of The Galaxy”, dukej më finok tek po nisej për xhirime në barin irlandez “Hennessey's Tavern”, me flokë të krehur dhe me mjekrën e rregulluar.

Teksa ylli që ka luajtur rolin e një marinsi në serialet e Amazonit po dilte nga vetura e tij për xhirime, ai është parë i veshur me një këmishë të kaltër, xhinse “Levis” dhe me këpucë me maja, në atë që përkonte me një transformim të tërësishëm nga stili i tij i përditshëm. Por, pasi kamerat u fikën me xhirimin e një skene në ballkon, Chris ka ndërruar xhinset me pantallona të rehatshme njëngjyrëshe dhe ka vendosur një mburojë plastike në fytyrë, që i shërben si maskë mbrojtëse ndaj COVID-19.

Filmi “The Terminal List” është i bazuar në romanin e Jack Carrit, i cili flet për rikthimin në shtëpi të marinsit James Reece, pasi e gjithë toga e tij ishte sulmuar në pritë gjatë një misioni të fshehtë dhe të rrezikshëm.

Sipas raportimit të “Deadline”, Reece rikthehet te familja teksa e mundojnë kujtimet shqetësuese nga ngjarja dhe pikëpyetjet rreth fajësisë së tij.

“Megjithëkëtë, teksa dëshmitë e reja dalin në dritë, Reece zbulon se disa forca të errëta punojnë kundër tij, duke ia rrezikuar jo vetëm jetën e tij, por edhe të atyre që i do”, ka shkruar “Deadline”.

Në këtë projekt filmik, Pratt do ta bashkëpunojë me kunatin e tij, Patrick Schwarzenegger.

I biri i aktorit dhe politikanit Arnold Schwarzenegger do ta ketë rolin e Donny Mitchellit, kolegut të Prattit që porsa ka përfunduar trajnimin ushtarak të përshkruar si “anëtari më i ri dhe me fytyrë prej foshnje” në togën e tij.

Javën e kaluar, aktori i serisë “Parks And Rec” u ka kushtuar nderime kolegëve të ekipit, të cilët edhe në jetën e përditshme janë ushtarë. Ai ka shkruar edhe një tekst respekti e admirimi për pjesëtarët e ushtrisë, në të cilin thuhej: “Bota jonë balancohet mes dritës dhe errësirës. Dhe, ndonëse duket e pasigurt, është krijuar kësisoj. Jemi thirrur, gjithsecili prej nesh, për të qenë në njëfarë shërbimi të dritës. Të paktë jemi ata që i përgjigjemi thirrjes. Edhe më pak syresh madje në shërbime ushtarake”.

Ai në vazhdim ka ndarë nderimin e tij “për të punuar përkrah burrave të tillë”.

“Po e jap më të mirën prej vetes që ta portretizoj James Reecenin në mënyrën më të besueshme të mundur. Me shumë tym, pasqyra dhe me këshilla teknike nga burrat që kanë kaluar nëpër përvoja të tilla do ta imitojmë mjaftueshëm mirë këtë punë sa për ta rrëfyer një tregim të jashtëzakonshëm”.