Megan Thee Stallion do të bëhet bashkë me grupin “Maroon 5”, për ta lansuar këngën e tyre të re me titull “Beautiful Mistakes”, të mërkurën më 3 mars.
Që të dy artistët e konfirmuan titullin e këngës dhe datën e lansimit të këtij bashkëpunimi, përmes postimit në rrjetet sociale. Kjo po ashtu do të jetë hera e parë që kjo dyshë, i ka bashkuar forcat nga ana kreative në studion incizuese.
Grupi “Maroon 5” gjatë gjithë muajit shkurt e ka paralajmëruar projektin e ri muzikor. Së fundmi, ata e postuan një fotografi të një veture në Instagram, e cila lë të nënkuptohet se kënga e tyre e re do të jetë bashkëpunim.
Nuk dihet detaje tjera rreth këtij projekti, pasi anëtarët e bendit pop rok apo rep artistja e njohur, ende nuk kanë ndarë pjesë nga melodia apo teksti i këngës.
Në fillim të këtij muaji, Megan Thee Stallion e lansoi këngën e parë për vitin 2021. “I’m A King” e cila vjen në bashkëpunim me reperin nga Dallasi, Bobby Sessions, do të jetë kolonë zanore e filmit të ardhshëm të aktorit Eddie Murphy, “Coming 2 America”.
Ndërkaq, për ta festuar ditëlindjen e saj të 26-të më 15 shkurt, Megan e publikoi videoprojektin “Southside Forever Freestyle”. Përmes tekstit të kësaj kënge, ajo e deklaron veten reperen më të fuqishme në Houston. Mean Thee Stallion gjithashtu ishte pjesë e remixit të hitit të këngëtares Ariana Grande, “34+35”, bashkë me reperen tjetër Doja Cat. Kjo treshe e suksesshme e muzikës e lansoi edhe videoklipin e këtij remixi, ku shfaqeshin shumë seksi dhe atraktive.
Megan Thee Stallion gjatë vitit 2020 e publikoi albumin e saj debutues, “Good News”.
Ndërkohë, kënga e re “Beautiful Mistakes” do të jetë lansimi i parë i grupit “Maroon 5”, prej lansimit të hitit “Nobody’s Love” në vitin 2020. Në muajin janar të këtij viti, vokalisti i bendit Adam Levine, u bë bashkë me këngëtarin Jason Derulo në lansimin e këngës “Lifestyle”.