Showbiz

Rockeri Manson po hetohet për dhunë

Rockeri Marilyn Manson është përfshirë në një hetim të dhunës në lidhje me incidentet që dyshohet se kanë ndodhur një dekadë më parë.

“Departamenti policor në Los Anxhelos po heton pretendimet e dhunës në familje, ku përfshihet Brian Warner, i njohur gjithashtu si Marilyn Manson, i cili punon në industrinë e muzikës”, thuhet në një deklaratë të departamentit.

“Incidentet kanë ndodhur midis viteve 2009 dhe 2011, kur Warneri ishte duke jetuar në West Hollywood”.

Vendimi për hetim ka ardhur më pak se tre javë pasi aktorja Evan Rachel Wood e akuzoi publikisht ish-të fejuarin e saj për abuzim seksual dhe fizik, duke pretenduar se ajo ishte “manipuluar për nënshtrim” gjatë lidhjes së tyre.

Manson, 52-vjecar, i ka quajtur pretendimet e saj “shtrembërime të tmerrshme të realitetit”.

Wood, që luan në “Westworld” të HBO-së, kishte folur më parë për dhunën në një marrëdhënie, por nuk e kishte përmendur emrin e personit, deri më 1 shkurt me një shkrim në Instagram.

“Emri i dhunuesit tim është Brian Warner, i njohur gjithashtu në botë si Marilyn Manson”, ka thënë Wood. “Ai filloi të më mashtronte kur isha adoleshente dhe më ka dhunuar tmerrshëm për vite me radhë”.

Lidhja e Woodit, tani 33 vjeçe, dhe e Mansonit ishte bërë publike më 2007, kur ai ishte 38-vjeçar dhe ajo 19. Ata ishin fejuar më 2010 dhe më pas ishin ndarë.

Manson iu përgjigj asaj, me një shkrim në Instagram, kështu:

“Padyshim që arti dhe jeta ime kanë qenë prej kohësh magnet për polemika, por këto pretendime të kohëve të fundit rreth meje janë shtrembërime të tmerrshme të realitetit”, është shprehur ai.

“Marrëdhëniet e mia intime kanë qenë gjithnjë konsensuale me partnerë të një mendjeje. Pavarësisht se si - dhe pse - të tjerët tani po zgjedhin ta paraqesin gabimisht të kaluarën, kjo është e vërteta”, ka shkruar ai.

Në vitin 2018, prokurorët e Los Anxhelosit nuk kishin pranuar të ngrinin akuza kundër Mansonit për akuzat seksuale që datojnë nga viti 2011, duke thënë se ato ishin të kufizuara nga afatet e parashkrimit dhe mungesa e vërtetimit. Akuzuesi në atë rast u identifikua vetëm si një njohës shoqëror i Mansonit.

Në atë kohë, ai i kishte mohuar akuzat përmes avokatit të tij.