Taylor Swift ka zbuluar se e ka shkruar hitin “My Tears Ricochet” nga albumi i saj i fundit “Folklore”, pasi e ka shikuar filmin e regjisorit Noah Baumbach, “Marriage Story”.
Në një intervistë për “Entertainment Weekly”, Swift u pyet çfarë lidhje ka kjo këngë dhe hiti “Mad Woman” me ndjenjat e saj karshi Scott Borchettas, udhëheqësi i studios së vjetër incizuese të këngëtares “Big Machine Records”, dhe Scooter Braunit, i cili së fundmi i ka shitur të drejtat autoriale të gjashtë albumeve të para të Swiftit.
“Kjo është hera e dytë që muzika ime është shitur pa dijeninë time”, kishte deklaruar Swift muajin e kaluar me ta kuptuar këtë lajm.
Ndërkaq në intervistën e fundit, Swift shpjegoi se derisa po i shkruante këngët e albumit të ri, e ka gjetur veten të provokuar nga çdo tregim, film apo rrëfim rreth shkurorëzimit edhe pse vetë nuk e ka përjetuar këtë proces të dhimbshëm asnjëherë, por megjithatë e krahasoi shkurorëzimin me zënkat e saj të fundit me Scooter Braunin.
“Nuk ka arsye që shkurorëzimi të më shkaktojë kaq shumë dhimbje, por krejt papritur ma kujton një eksperiencë të hidhur nëpër të cilën kam kaluar. Mendoj se kjo gjë ndodhë çdoherë kur dikush është në një lidhje të gjatë me dikë, dhe ajo përfundon në mënyrë të çrregullt dhe kaotike. Prandaj e kam shkruar këngën ‘My Tears Ricochet’ duke menduar për përfundimin e lidhjes mes dy personave si pasojë e shkurorëzimit. Një moment kur krejt papritur, personi të cilit i ke besuar më së shumti në botë, shndërrohet në personin që mund të të lëndoj më së keqi. Mendoj se një pjesë të tekstit të kësaj kënge e kam shkruar pasi e kam shikuar filmin ‘Marriage Story’ të regjisorit Noah Baumbach”, ka deklaruar këngëtarja.
Filmi “Marriage Story” u lansua në fund të vitit 2019 dhe në rolet protagoniste i solli aktorët, Adam Driver dhe Scarlett Johansson, të cilët e portretizuan një çift të martuar teksa i nënshtrohen procesit të shkurorëzimit të shoqëruar me shumë dhimbje dhe trishtim.
Aktualisht Swift është duke i riincizuar këngët e gjashtë albumeve të saja të para, në përpjekje për ta marrë kontrollin mbi muzikën e saj.
Në një intervistë të fundit për emisionin “Good Morning America”, këngëtarja the se riincizimi i këngëve të saj të vjetra ka qenë një aventurë e mahnitshme dhe mjaft argëtuese.
Në lajme të tjera, ylli i hitit “Cardigan” ia ka paguar qiranë prej dhjetë mijë dollarëve një gruaje të quajtur, Nikki Cornwell, kjo pasi për “Washington Post” ajo kishte treguar që ka frikë se do të dëbohet nga apartamenti i saj, për shkak se është në borxh rreth katër mijë dollarë për qira, të cilat nuk ka pasur mundësi t’i paguaj shkaku i situatës së fundit të krijuar nga pandemia.
Taylor po ashtu të njëjtën shumë ia ka dhuruar një nëne të quajtur Shelbie Selewski, për ta ndihmuar financiarisht në këtë periudhë të vështirë për familjen e saj, dhe në mënyrë që ata të mos stresohen për të holla gjatë festive të fundvitit.
Kjo nuk është hera e parë që Taylor Swift bërë donacione të këtilla bujare. Para pak muajve këngëtarja ia kishte dhuruar 30 mijë dollarë një adhurueseje të saj, për t’i mbuluar shpenzimet e universitetit.