Mel C i ka ngacmuar fansat me deklaratën se pesë anëtaret e bendit “Spice Girls”, janë në bisedime e sipër për t’u ribashkuar me rastin e 25-vjetorit të debutimit të tyre në skenë.
Viti 2021 e shënon 25-vjetorin e paraqitjes së parë publike të pesë vajzave, Mel C, Geri Horner, Mel B, Emma Bunton dhe Victoria Beckham. Grupi i cili e gëzoi një karrierë të jashtëzakonshme në skenën e muzikës anembanë botës, debutoi me hitin “Wannabe”.
Anëtaret e bendit me përjashtim të disenjatores Victoria Beckham, e realizuan një turne në vitin 2019, dhe tani janë duke provuar të ribashkohen sërish që të gjitha anëtaret, për ta shënuar këtë datë speciale.
“Ne e kemi një grup në WhatsApp dhe tashmë kemi filluar të bëjnë plane për t’u ribashkuar për 25-vjetorin e themelimit të bendit, por nuk mund të tregoj më shumë detaje”, citohet të ketë thënë Mel C për revistën “You”.
Në të njëjtën intervistë, këngëtarja shpjegoi se të shndërruarit edhe një herë në anëtaren “Sporty Spice” në turneun e vitit 2019, ishte një eksperiencë magjike për të, transmeton Koha.
Tutje ajo ka treguar se është duke e bërë të pamundurën për t’u siguruar që një turne i grupit “Spice Girls” të ndodhë vitin e ardhshëm.
Muajin e kaluar, Mel C e lansoi albumin e saj të tetë të incizuar në studio me titull, “Melanie C”, ndërsa së fundmi këngëtarja ka folur hapur edhe për problemet mendore që ia kishte shkaktuar fama sa ishte pjesëtare e bendit “Spice Girls”.
Me të debutuar në skenë në moshën 22-vjeçare, Mel C ishte goditur rëndë nga fama e shpejtë e fituar nga bendi, dhe kështu ka filluar të ketë probleme me anoreksinë dhe depresionin. Por, pasi e kishte kuptuar se nuk mund të përballet e vetme me problemet e shëndetit mendor, 46-vjeçaja kishte vendosur të kërkojë ndihmë profesionale nga mjekët. Ndjekja e seancave psikologjike dhe marrja e ilaçeve kundër depresionit, duket se e kanë ndihmuar këngëtaren shumë.