Showbiz

Meghan Markle ka hequr dorë nga rrjetet sociale ngase dëshiron të kujdeset për veten

Dukesha e Sussexit, Meghan Markle, i ka mbyllur të gjitha llogaritë personale në rrjetet sociale, në momentin që e kishte filluar lidhjen romantike me bashkëshortin e saj, Princin Harry, dhe u bë pjesë e familjes mbretërore britanike pas martesës së çiftit në maj të vitit 2018.

Tani, 39-vjeçarja Markle e cila bashkë me burrin e saj hoqën dorë nga obligimet e familjes mbretërore si dhe u shpërngulën për të jetuar në Los Angeles, thotë se ka vendosur të qëndrojë larg rrjeteve sociale si, Twitter dhe Instagram, me qëllim që ta mbrojë veten dhe familjen e saj.

“Për shkak se dua ta ruaj dhe të kujdesem për shëndetin tim mendor, kam vendosur të mos bëhem pjesë e rrjeteve sociale për një kohë të gjatë. Para disa vjetësh e kisha një llogari personale në Instagram, të cilën ka kohë që e kam mbyllur. Më pas unë dhe Harry e kemi pasur një llogari të përbashkët përmes institutit dhe zyrës sonë në Britani të Madhe, e cila nuk menaxhohej nga ne por nga një ekip i tërë njerëzish. Prandaj, mendoj se nevoja për të qenë pjesë e rrjeteve sociale vjen me punën të cilën e bënë”.

Ish-ylli i serisë “Suits” e cila e ka një djalë 17 muajsh, Archie, me bashkëshortin Harry, po ashtu tha se brengoset tej mase për njerëzit që janë të obsesionuar pas rrjeteve sociale, transmeton Koha. Markle deklaroi se i vjen mirë që nuk është në dijeni të gjërave që njerëzit i thonë rreth saj online.

“Unë e kam marrë një vendim personal për të mos pasur llogari aktive në rrjetet sociale, prandaj nuk kam ide se çfarë thonë njerëzit për mua online”, ka përfunduar tutje Markle.

Ndërkohë, Dukesha e Sussexit së fundmi e kishte zbuluar se e shfrytëzon meditimin për t’u përballur me stresin që ia shkaktojnë ofendimet online, kjo pas urrejtjes së madhe që e ka pranuar nga publiku prej se është martuar me Princin Harry.

“Më është kumtuar lajmi se në vitin 2019 kam qenë personi më i ofenduar online në botë. Dhe kur e mendon, nëntë muaj të atij viti unë i kam kaluar larg syri të publikut, sepse isha në pushim të lehonisë dhe e kalojë kohën e mbyllur në shtëpi duke u kujdesur për djalin tim. Dhe sërish, lajmet dhe gjërat që njerëzit arrinin t’i trillonin për mua ishte pothuajse e pamundur t’u mbijetoja... Nuk më intereson nëse je 15 ose 25 vjeçare, nëse njerëzit po thonë për ty gjëra që nuk janë të vërteta, kjo ndikon shumë keq në shëndetin tënd mendor dhe emocional. Për mua, meditimi është ajo që më ka ndihmuar ta tejkaloj këtë periudhë. Qetësimi i mendjes dhe shpirtit është shumë i rëndësishëm, dhe meditimi më ka mundësuar të reflektoj mbi jetën time”, citohet të ketë thënë dukesha Meghan Markle.