Showbiz

James Corden i përlotur foli për racizmin në emisionin e tij “The Late, Late Show”

Foto: Reuters

Prezantuesi i njohur televiziv, James Corden, u emocionuar tej mase teksa foli për racizmin në episodin e fundit të emisionit të tij, “The Late, Late Show”.

Ndër të tjera, prezantuesi dhe aktori britanik e pranoi se do të dëshironte të kishte mundësi t’ia jap një përqafim udhëheqësit të bendit muzikor të këtij shou, Reggie Watts, pasi ky i fundit e rrëfeu eksperiencën e tij personale me racizmin.

“Unë kam qenë me fat që jam rritur në një shtëpi ku prindërit më kanë mbrojtur tej mase nga forma të ndryshme të racizmit që ndodhin në lagje. Nëna ime ishte një luftëtare e guximshme e cila nuk ngurronte të përballej ashpër me njerëzit, të cilët më ofendonin për shkak të racës sime. Prandaj, ndihem falënderues që prindërit e mi kanë luftuar aq shumë për të ma bërë jetën sa më normale, dhe më kanë rritur në atë mënyrë që gjithmonë jam ndier si qenie njerëzore që ka vlera. Por, prindërit e mi nuk kanë pasur eksperiencë të njëjtë me mua. Ata gjatë gjithë jetës janë përballur me racizmin dhe paragjykimet për shkak të martesës ndërracore. Pra edhe unë kam histori të jetës si pjesë e komunitetit afrikano-amerikan, të cilën preferoj të mos e kujtoj për shkak se më sjell shumë dhimbje dhe emocione. Kjo është një situatë e vështirë nëpër të cilën po kalojmë, prandaj dua ta shfrytëzojë platformën time për të mirë,” tha Reggie Watts përmes deklaratës së tij në emisionin “The Late, Late Show”.

Ndërkaq prezantuesi Corden, duke i fshirë lotët iu përgjigj: “Më vjen keq që po ndjen pikëllim të tillë. Do të jepja çdo gjë vetëm për të qenë në një dhomë me ty dhe të të përqafoja.”

James Corden gjithashtu e pranoi se e ka pasur vështirë t’i zgjedhë fjalët e duhura për t’i thënë rreth trazirave civile në Amerikë, të shkaktuara nga vdekja mizore e George Floydit, por nuk ngurroi ta ofroj përkrahjen e tij si dhe bëri thirrje për ndryshim në vend, transmeton Koha.

Në fund të emisionit prezantuesi i famshëm e transmetoi një performancë prekëse nga reperi britanik, Dave, të këngës “Black” të cilën e kishte interpretuar në edicionin e sivjetmë të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve muzikore, “BRIT Awards”.