Showbiz

Lady Gaga nuk kishte ide që babai i saj po i kërkonte publikut të holla

Joe Germanotta, babai i këngëtares së famshme Lady Gaga, është kritikuar ashpër në rrjetet sociale, ngase i kishte kërkuar publikut t’i ndihmojnë në sigurimin e 50.000 dollarëve për t’i paguar punëtorët e restorantit të tij në New York, të cilët ishte detyruar t’i pushojë nga puna si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

I ati i Gagas që është pronar i restorantit, e kishte themeluar faqen “GoFundMe” ku publiku mund të zgjedhë të dhurojë para për t’i ndihmuar në sigurimin e pagave të punëtorëve të tij, por menjëherë pas këtij veprimi, Germanotta është përballur me kritika të shumta nga njerëzit të cilët ia potencuan faktin se ai dhe Gaga, e cila është bashkë-pronare e restorantit, posedojnë pasuri prej miliona dollarëve.

Pas këtyre kritikave ai është detyruar ta mbyll faqen, dhe tashti një burim i afërt i Gagas po deklaron se këngëtarja 34-vjeçare, nuk ka qenë në dijeni se babai i saj po kërkon të holla nga publiku.

“Ajo nuk e kishte idenë që ai po vepronte në këtë mënyrë, sepse në të kundërtën nuk do ta lejonte ta bëjë një gjë të tillë. Ky ishte një vendim i tij personal dhe fatkeqësisht shumë impulsive dhe i gabuar,” citohet të ketë thënë një burim i këngëtares.

Blogeri i famshëm, Perez Hilton, ishte ndër personat e parë që e kritikoi Joe Germanottan për faktin se po i kërkonte njerëzve para për t’i paguar punëtorët e tij, duke ia kujtuar publikut se ylli i hitit “Stupid Love”, Lady Gaga e posedon një pasuri prej 275 milionë dollarësh.

{gallery}