Prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit anembanë globit, aktorë të shumtë i kishin shfrytëzuar platformat online për ta bërë të ditur lajmin se janë prekur nga COVID-19.
Në mesin e tyre janë edhe: Tom Hanks, Rita Wilson, Olga Kurylenko dhe Daniel Dae Kim. Që të gjithë këta aktorë, tashmë e kanë informuar publikun se po ndihen mirë dhe i kanë tejkaluar simptomat e kësaj sëmundjeje, transmeton Koha.
Hanks dhe bashkëshortja e tij Wilson, kanë bërë të ditur se dy javë pas diagnozës ata po ndihen shumë më mirë, si dhe i kanë këshilluar edhe të tjerët që të vetizolohen deri në përmirësimin e situatës. Çifti gjatë kësaj kohë kishte qëndruar në Australi, ku Hanks kishte shkuar për ta xhiruar një film.
“Përshëndetje të gjithëve. Kanë kaluar dy javë prej se na janë shfaqur simptomat e para dhe tashmë po ndihemi shumë më mirë. Mbyllja në një vend funksionon kështu: Ti nuk ia bartë sëmundjen dikujt dhe nuk e merr virusit nga të tjerët. Logjikë e thjeshtë, apo jo? Do të nevojitet pak kohë, por nëse kujdesemi dhe i ndihmojmë njëri-tjetrit, si dhe heqim dorë nga disa rehati personale… kjo situatë do të kalojë. Ne mund t’ia dalim,” kishte shkruar aktori në llogarinë e tij në Twitter.
— Tom Hanks (@tomhanks) March 23, 2020
Edhe aktorja, Olga Kurylenko, ka deklaruar se është shëruar plotësisht nga koronavirusi. Ylli 40-vjeçar i filmit, javën e kaluar e kishte bërë të ditur lajmin se është diagnostikuar me COVID-19, por tani ajo thotë se po ndihet shumë mirë dhe nuk po i shfaqë simptomat e kësaj sëmundjeje.
Kurylenko këtë lajm të mirë e ka bërë të ditur përmes postimit të një fotografie në Instagram, ku ajo shihet bashkë me djalin e saj katër vjeçar Alexander, të cilin e ka me ish partnetin, Max Benitz.
Ndër të tjera, ylli i filmit “Quantum of Solace” i ka këshilluar ndjekësit e saj, që ta marrin më shumë seriozitet këtë pandemi dhe distancimin social.
Në anën tjetër aktori, Daniel Dae Kim, beson se ilaçi kundër malarjes ka qenë shumë i rëndësishëm në shërimin e tij nga koronavirusi.
Ylli 51-vjeçar i serisë “Hawaii 5.0”, e ka lavdëruar ilaçin ‘hydroxychloroquine’ duke thënë se ka luajtur rol të rëndësishëm në trajtimin e tij sepse tashmë po ndihet krejtësisht normal.
“Nuk do të them se ky ilaç është kura e koronavirusit dhe nuk po them se duhet ta përdorni atë, por nga përvoja personale ju them se besoj që e ka luajtur një rol të rëndësishëm në shërimin tim,” citohet të ketë thënë aktori.
Ish aktori i serisë “Lost” po ashtu e ka zbuluar se karantina e tij mund të përfundojë gjatë ditës së hënë. Sidoqoftë, ai ka thënë se do të dëshironte të testohej sërish për koronavirusin, vetëm sa për t’u siguruar, por një gjë e tillë është e pamundur për shkak se nuk ka teste të mjaftueshme për të gjithë.