Billie Eilish i ka ngacmuar fansat duke ndarë detaje të vogla rreth këngës, e cila do të jetë kolonë zanore e filmit të ardhshëm me agjentin James Bond, “No Time To Die”.
Duke folur për projektin në fjalë, Eilish e ka konfirmuar lajmin që kënga tashmë është shkruar dhe përfunduar, si dhe ka thënë që ka gjasa të jetë një baladë. Po ashtu, edhe një herë, ajo e pranoi se është një nderë i veçantë që do të jetë pjesë e këtij projekti, duke shtuar se ka qenë një “synim” i jetës së saj.
Para ca ditësh në media filluan të qarkullojnë fjalët se pop ylli Eilish, kishte vendosur ta debutoi këngën në ceremoninë “Oscar”, por kjo nuk ndodhi. Këngëtarja interpretoi në një segment përkujtues të artistëve që kanë vdekur gjatë vitit të fundit, transmeton Koha.net.
E shoqëruar nga vëllai i saj Finneas O’Connell në piano, Eilish e soli një interpretim prekës dhe emocionues të hitit “Yesterday” të grupit legjendarë “The Beatles”, derisa në ekranin e vendosur prapa saj në skenë, shfaqeshin fotografitë e aktorëve, regjisorëve, skenaristëve e producentëve të ndjerë si, Agnes Varda, Doris Day, Peter Mayhew dhe të tjerë.
Ky segment filloi me fotografinë e legjendës së basketbollit, Kobe Bryant, i cili e kishte fituar një shpërblim “Oscar” në vitin 2018, me filmin e tij të shkurtër “Dear Basketboll”. Bryant vdiq më 26 janar në një aksident me helikopter.
Muajin e kaluar, Eilish e konfirmoi lajmin se ishte përzgjedhur për ta realizuar kolonën zanore të filmit të ardhshëm “James Bond”, duke u bërë kështu artistja më e re në histori, e angazhuar me këtë detyrë.
Filmi “No Time To Die” do të lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe më 3 prill të këtij viti.