Showbiz

Leonardo DiCaprio dhe Robert De Niro bashkohen në filmin e ri të Scorseses

Dy aktorët kryesorë të preferuar të Martin Scorsese do të bashkohen më në fund në një nga filmat e tij.

Gjatë ceremonisë së sivjetme të çmimeve SAG, në të cilat Robert de Niro e mori çmimin për arritje jetësore, ishte Leonardo DiCaprio ai që ia dha çmimin. Gjatë fjalimit ai njoftoi se ai dhe De Niro do të luanin në projektin e ri të Scorsese, “Killers of the Flower Moon”.

Tashmë dihej më parë që DiCaprio duhej të luante në këtë film, por ky është konfirmimi i parë zyrtar në lidhje me ekipin e aktorëve, shkruan KOHA Ditore. De Niro dhe DiCaprio kanë bashkëpunuar me Scorsese disa herë, por individualisht. Ky do të jetë filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisorit legjendar në të cilin i bashkon forcat kjo dyshe filmike.

Image

Filmi “Killers of the Flower Moon” bazohet në librin e David Grannit me të njëjtin titull nga viti 2017, i cili e sjell historinë e vërtetë të vrasjeve në Oklahoma në vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur disa indianë nga Osage u vranë pasi u gjet nafta nën rezervatin e tyre. Një ekip i sapoformuar i FBI-së gjithashtu punoi në zgjidhjen e vrasjeve.

Scorsese planifikon të fillojë xhirimet këtë pranverë, ndërsa filmin do ta bëjë sipas skenarit të Eric Roth. Data e daljes nuk dihet ende.