"Ip Man 4" filmi i fundit kung fu për Donnie Yen

"Ip Man 4" filmi i fundit kung fu për Donnie Yen

06 December 2019 18:35

Ka mbërritur fragmenti zyrtar për “Ip Man 4: The Finale”, filmi i fundit në sagën Ip Man, dhe duket se është edhe filmi i fundit kung fu për aktorin kryesor Donnie Yen.

Në një konferencë shtypi në Pekin, Yen e shpjegoi vendimin e tij: "Si aktor dhe filmbërës, kam bërë shumë filma, disa që njerëzit i duan, disa që nuk i duan. Në këtë rrugë plot me sfida kam xhiruar shumë filma kung fu që janë pak a shumë të njëjtë. Si aktor, duhet të vazhdosh më tej... Kjo është diçka që duhet ta bëj në jetën time; duhet të hulumtoj për të përparuar".

Lidhur me filmin e ardhshëm, të katërtin në serinë Ip Man, Yen tha: "Seritë filmike zakonisht nuk i kanë më shumë se dy vazhdime sepse në filmin e tretë gjërat tashmë e marrin tatëpjetën. Por tre filmat e parë të Ip Man janë pëlqyer nga të gjithë. Unë besoj se njerëzit nuk do të jenë as tani të zhgënjyer " dhe shtoi, "Jam mirënjohës që Ip Man 4: Finale është filmi im i fundit kung fu. Shpresoj se ai do ta zë një vend të vlefshëm në historinë e filmit kinez, ndërsa unë do ta vazhdoj udhëtimin tim të aktrimit".

Në tregimin përfundimtar, Yen kthehet në rolin e Ip Man, i cili shkon në SHBA, ku studentët e tij e shqetësojnë komunitetin lokal të mjeshtrit të arteve marciale duke e hapur shkollën Wing Chun, shkruan KOHA Ditore.

Në filmin Ip Man 4: The Finale, përveç Yen luajnë edhe Scott Adkins, Kwok-Kwan Chan dhe Vanessa Wu. Filmi do të fillojë me kino-distribuim në fund të këtij dhjetori.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme