Showbiz

Neil Patrick Harris arrin tek Neo dhe Trinity në Matrix

Edhe pse njihet më shumë për rolin e bandillit në “How I Met Your Mother”, Neil Patrick Harris (46) tani do të mund ta shohim në një rol paksa të ndryshëm. Sipas revistës Variety, aktori ka pranuar të luajë në vazhdimin e 4-të të Matrixit. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rol të vogël, kanë konfirmuar burime të afërta me produksionin.

Qysh më herët, këtë gusht, u njoftua se po vinte vazhdimi i katërt i Matrixit, dhe se rolet e Neos dhe Trinity do t’i reprizojnë Keanu Reeves dhe Carrie-Anne Moss, shkruan KOHA Ditore. Asgjë nuk dihet për ngjarjen në film, ndërsa në IMDB është vetëm një informacion i kufizuar se filmi pritet në kinema në vitin 2022. Regjinë do ta bëjnë Lane dhe Lilly Wachowski, ndërsa skenaristë janë Alexander Hemon dhe David Mitchell.

Tre vazhdimet e para të filmave në botë i kanë fituar madje 1.6 miliardë dollarë, dhe nuk ka dyshim se vazhdimi i ri do të kalojë mirë.

Për revistën “Express”, skenaristi Alexander Hemon kohët e fundit i zbuloi ekskluzivisht disa detaje të reja në lidhje me xhirimet e filmit.

‘Kam punuar me Lana Wachowski dhe David Mitchell disa herë deri më tani, duke përfshirë serialin 'Sense8', dhe një projekt tjetër që ende nuk është prodhuar dhe që ndoshta nuk do të prodhohet kurrë. Tash ca kohë kemi qenë ekip. Kur Lana vendosi ta bënte Matrixin e ri, apo e kishte idenë se si ta bëjmë, ajo e thirri Davidin dhe mua dhe ne u përgjigjëm si gjithmonë. Ne kemi punuar gjatë festave të Vitit të Ri dhe e kemi pasur një takim tjetër në mars në San Francisco, pas së cilit Lana e dërgoi skenarin dhe studioja Warner Brothers tha: 'Le të punojmë, por u desh kohë për t’i rregulluar të gjitha kontratat. Lajmi u publikua pasi që u dha drita e gjelbër zyrtarisht për produksionin, tha Hemon për Express.