Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar kategorikisht akuzat se ka qenë i përfshirë në të ashtuquajturin “turizmi i snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës, duke i cilësuar ato si “gënjeshtër”, shkruan BBC.
Këto deklarime vijnë pas një ankese të dorëzuar te prokurorët italianë nga një gazetar kroat, i cili pretendon se pamjet nga vitet 1990, së bashku me dëshmi të zyrtarëve boshnjakë, tregojnë se Vuçiqi ka qenë “vullnetar lufte” në pozicionet e forcave serbo-boshnjake që mbanin të rrethuar Sarajevën.
Duke folur në një konferencë biznesi të premten në Beograd, Vuçiqi ka thënë se asnjëherë nuk ka vrarë apo plagosur dikë, dhe as s’ka bërë ndonjë gjë të ngjashme. Ai shtoi se “kurrë në jetë nuk kam mbajtur pushkë snajperi”.
Fotografitë që pretendojnë të tregojnë atë me një armë të tillë, sipas Vuçiqit, në fakt e paraqesin duke mbajtur një “tripod kamere”.
Ai akuzoi gazetarin kroat se po përpiqet ta portretizojë si “përbindësh, jo–njeri dhe një vrasës gjakftohtë”.
Mbi 11 mijë persona vdiqën gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës, një nga episodet më brutale të shpërbërjes së Jugosllavisë, ku qyteti ishte i rrethuar nga forcat serbe dhe i ekspozuar ndaj bombardimeve dhe zjarrit të snajperëve.
Prokurorët italianë hapën këtë muaj hetim mbi pretendimet se persona të pasur nga vende të ndryshme kishin paguar për të qëlluar mbi civilë gjatë rrethimit të Sarajevës.
Hetimi erdhi pas një ankese të një autori italian që kishte parë dokumentarin slloven “Sarajevo Safari” (2022), i cili ngre akuza se të huajt kanë paguar shuma të mëdha për të marrë pjesë në “turizmin e snajperëve”.
Pretendime të ngjashme për “gjuetarë njerëzish” nga vende të ndryshme janë raportuar disa herë ndër vite.
Megjithatë, kryeprokurori i Mekanizmit Ndërkombëtar për Tribunale Penale në Hagë ka thënë se institucioni nuk ka asnjë informacion që mbështet këto akuza.
Prokuroria e krimeve të luftës në Bosnje mori një ankesë në vitin 2022, por nuk ka ngritur asnjë aktakuzë deri më tani.
Ndërkohë, ish-pjesëtarë të forcave speciale britanike që shërbyen në Sarajevë gjatë rrethimit kanë thënë se këto pretendime janë thjesht një “mit urban”.