Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Raporti i KE-së për Serbinë: Presioni politik mbi gjyqësorin mbetet i lartë

Komisioni Evropian

Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka konstatuar se në Serbi presioni politik mbi institucionet e drejtësisë mbetet i lartë. 

Në raport ndër të tjera thuhet se përkundër hapave të ndërmarrë për të reduktuar ndikimin, presioni politik mbi gjyqësorin dhe prokurorinë mbetet i lartë. 

Efektet e këtyre hapave thuhet se mbeten për tu parë, por thuhet se ka pak ose aspak ndjekje të rasteve të ndikimit në sistemin e drejtësisë. 

Për këtë raport ka shkruar edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, tani  këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Ragmi Mustafi. 

Ai ka shkruar se raporti konstaton se Serbia ka bërë përparim të kufizuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit. “Është e papranueshme që ndikimi politik të vazhdojë të ekzistojë mbi gjyqësorin tonë, duke minuar drejtësinë dhe besimin e qytetarëve. Përmirësimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk mund të jetë vetëm një objektiv në letër, por duhet të jetë një përparësi reale dhe konkrete. Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë serioze, dhe mungesa e masave të efektshme kundër korrupsionit është pengesë e madhe për zhvillimin demokratik dhe ekonomik”, ka shkruar Mustafi në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se sipas raportit gjendja e lirisë së mediave është po ashtu alarmante. “Mediat vazhdojnë të përballen me presion dhe kërcënime, dhe pluralizmi mediatik është i kufizuar”, ka shkruar Mustafi.

Edhe Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit, KOHA identifikohet si medium me ndikim LAJMET E MBRËMJES Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit, KOHA identifikohet si medium me ndikim

Sipas Mustafit raporti ka konstatuar se proceset zgjedhore ne Serbi, nuk përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të drejta. 

“Në aspektin ekonomik, borxhi publik i lartë dhe papunësia kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përmirësime strukturore për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe inkluziv”, ka shkruar Mustafi.
Sipas tij rekomandimet e dhëna për Serbinë në këtë raport janë të qarta.

“Komisioni Evropian ka dhënë rekomandime të qarta: forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, garantimin e lirisë së mediave dhe përmirësimin e proceseve zgjedhore. Zbatimi i këtyre reformave është thelbësor për avancimin tonë drejt integrimit evropian dhe për përmirësimin e standardeve demokratike dhe ekonomike”, ka shkruar Mustafi.