instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur të hënën se në javën e kaluar janë regjistruar 50 raste të reja me kollën e keqe.
Numri më i madh i të sëmurëve në periudhën 29 mars – 4 prill është regjistruar në Shkup, por raste janë raportuar edhe në Manastir, Tetovë, Gostivar, Kratovë, Veles dhe Gjevgjeli.
Në total, këtë vit janë regjistruar 399 raste me kollën e keqe.
Kolla e keqe është sëmundje që shkaktohet nga bakteri ‘bordetella pertussis’, dhe përhapet lehtësisht nga personi në person përmes spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.
Fillimisht simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë, kanë theksuar nga Instituti i Shëndetit Publik, duke përmendur se një person gjatë jetës mund të preket disa herë nga kjo sëmundje.
Edhe
Së shpejti edhe të rriturit do të mund të rrezikohen nga sëmundjet e “fëmijërisë”
Në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, 239 raste gjegjësisht 59.9 për qind e të infektuarve nga kolla e keqe nuk i kanë marrë dozat e vaksinës nga kjo sëmundje ose nuk kanë dëshmi të vaksinimit.
Prandaj ky Institut ka bërë thirrje që prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, duke thënë se vaksinat janë të sigurta dhe nuk ka vend për dyshim rreth sigurisë së tyre.
"Problemi më i madh mbeten dezinformuat, të cilat shpërndahen për sa i përket sigurisë së vaksinave. E dyta ka të bëjë me neglizhencën e prindërve që harrojnë afatin se kur duhet t’i vaksinojnë fëmijët me dozën e dytë ose tretë të vaksinës kundër kollës së keqe”, ka thënë Zllate Medoviq nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse.
Ai e konsideron shqetësues faktin se kjo sëmundje tani shtrihet dhe në qytetet ku më parë nuk ka qenë asnjë i regjistruar sikurse Dibra, Kriva Pallanka, Gjevgjelia, Kërçova e tjera.
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e fundit, të mbajtur më 4 prill, ka shqyrtuar gjendjen e krijuar, megjithatë nuk ka sugjeruar masa shtesë për mbrojtje nga kolla e keqe duke theksuar se mbeten në fuqi masat më të hershme që kopshtet për fëmijë të mos i pranojnë fëmijët që nuk i kanë marrë tri doza të vaksinës kundër kollës së keqe.
Edhe
Rriten e rastet me “kollë të mirë”, IKSHPK-ja bën thirrje për kujdes
Kjo masë ka rezultuar me rritje të numrit të të vaksinuarve, veçanërisht pas shpalljes së epidemisë nga kjo sëmundje, më 8 shkurt të këtij viti në Shkup dhe Kumanovë.
Në Maqedoninë e Veriut, mbulimi për vaksinim primar është nën 90 për qind për të gjitha vaksinat – si ajo kundër verdhëzës ose hepatitit B (HepB), për vaksinën kundër gripit ose Haemophilus influenzae tip B (HiB), vaksinën e trefishtë kundër difterisë, tetanozit dhe pertusisit (DiTePer) vaksinën MRP kundër fruthit, si dhe kundër virusit papilloma humane (HPV), e cila regjistron mbulimin më të ulët nga të gjitha vaksinat. /REL