Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rriten e rastet me “kollë të mirë”, IKSHPK-ja bën thirrje për kujdes

kolla

Foto: Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë mbikëqyrjes permanente të situatës epidemiologjike në vend, ka konstatuar një rritje të lehtë të rasteve të “kollës së mirë” ose Pertussis, krahasuar me vitet e fundit.

“Gjatë vitit 2024, IKSHPK-ja ka regjistruar 8 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja”, thuhet në njoftim. 

Sipas IKSHPK-së Pertusis që ndryshe njihet edhe si “Kolla e mirë”, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Ajo shkaktohet nga bakteria Bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar.

“Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1 vjeçare. Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. “Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë. Komplikimet më të shpeshta janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet, etj.”, thuhet në njoftim. 

Sipas IKSHPK-së kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve.

Edhe Së shpejti edhe të rriturit do të mund të rrezikohen nga sëmundjet e “fëmijërisë” Lifestyle Së shpejti edhe të rriturit do të mund të rrezikohen nga sëmundjet e “fëmijërisë”

“Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe. Terapia me antibiotikë është trajtimi i zgjedhur për pertusis, sidomos në javën e parë dhe të dytë nga fillimi i simptomave”, thuhet në njoftim.

Ndryshe nga sëmundjet e tjera si varicela e fruthi pertusisi thuhet se mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose imunizimit bien me kalimin e kohës.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë raportuar për rritje të numrit të rasteve të Pertusisit në shumë vende të rajonit evropian gjatë pjesës së dytë të vitit 2023 dhe gjatë vitit 2024. Raste të Pertusisit janë regjistruar gjatë kësaj periudhe edhe në vendet e rajonit. IKSHPK u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar”, thuhet në njoftim.