(13:20) - Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se plagosja e një polici që po ruante ambasadën izraelite në Beograd të shtunën po trajtohet si “akt terrorist”
“Po hetohet si akt terorrist ndaj shtetit të Serbisë dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë”, ka thënë Daçiq.
Ai ka konfirmuar se janë arrestuar edhe disa persona të tjerë si “masë paraprake”.
Polici, i cili është në gjendje të rëndë në operacion, u plagos me shigjetë nga një person që dyshohet se është ekstremist mysliman. Sulmuesi u vra nga polici në vetëmbrojtje, sipas Daçiqit.
Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një person vritet pasi plagosi policin që po ruante ambasadën izraelite në Beograd

(12:57) - Një person, i cili dyshohet se është ekstremist mysliman, është vrarë pasi e ka plagosur me shigjetë një polic që po ruante ambasadën izraelite në Beograd të shtunën.
Rasti është konfirmuar nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, duke thënë se sulmi ndodhi rreth orës 11:00, raporton "Novosti".
“Sot rreth orës 11:00, një person i panjohur, identiteti i të cilit po punohet të zbulohet, ka qëlluar me shigjetë një pjesëtar të xhandarmërisë i cili ishte në shërbimin e sigurisë në ambasadën izraelite dhe e ka goditur në qafë. Në vetëmbrojtje polici qëlloi sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra. Po hetohen motivet”, ka thënë ministri Daçiq.
Polici i plagosur është në gjendje të rëndë.
Ambasada izraelite ka thënë se askush prej personelit nuk u lëndua pasi është ditë pushimi.
Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.