Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

BE: Presim proces zgjedhor demokratik në Maqedoninë e Veriut më 8 maj

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Foto: Driton Paçarada

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, tha të shtunën se blloku pret të ketë zgjedhje demokratike dhe të rregullta në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, kur do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare njëkohësisht.

Kandidatja opozitare Gordana Silanovska-Davkova e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën bindshëm po pamjaftueshëm për ta shmangur rundin e dytë, ku më 8 maj do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

Geer tha se shpreson se pjesa e dytë e fushatës zgjedhore dhe zgjedhjet e dyfishta do të kalojnë në një frymë demokratike dhe paqësore, siç e vlerësoi OSBE/ODIHR rundin e parë në raportin e saj preliminar.

“Më e rëndësishmja është... në rundin e parë zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe demokratike. Dhe, ne shpresojmë shumë që në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare, të gjithë të angazhohen për ta përfunduar procesin përmes mesazheve pozitive në fushatë”, tha Geer.

Ai nuk i ka komentuar zërat se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale në rundin e dytë me qëllim që të mos arrihet pragu i daljes për 40 për qind, për ta dështuar procesin.

Edhe Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli Rajon Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

“Çdo çështjeje tjetër politike që lidhet me zgjedhjet, shpresoj ta kuptoni që nuk do ta komentoj në këtë fazë. Është në dorën e qytetarëve që të vendosin për të ardhmen e vendit”, shtoi ai.

Shtatë kandidatë garuan në rundin e parë, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar rundin e dytë.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave.

Njoftimet jozyrtare flasin për një bojkot të LSDM-së, por edhe të BDI-së, edhe pse nga partia që drejtohet nga Ali Ahmeti kanë thënë se do të dalin me një qëndrim se si do të veprojnë në rundin e dytë.

Edhe VMRO-ja fituese e dyfishtë, pritet të bashkëqeverisë me VLEN-in Rajon VMRO-ja fituese e dyfishtë, pritet të bashkëqeverisë me VLEN-in

Nga koalicioni opozitar VLEN kanë thënë se nuk do të bëjnë thirrje për bojkot, pasi votuesit janë ata që duhet të vendin se për cilin kandidat do të japin votën e tyre.

Osmani dhe Taravari i fituan rreth 210.000 vota së bashku në rundin e parë dhe besohet se, në mungesë të tyre në rundin e dytë, votat e shqiptarëve mund të luajnë rol vendimtar në garën për president mes Davkovës dhe Pendarovskit, siç kishte ndodhur para pesë vjetëve./REL