Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Si ndërtohen shtëpitë e inuitëve?

Askush nuk e di me saktësi se kush e ndërtoi shtëpinë e parë inuite, që ndryshe njihet me emrin “igloo”, e cila ndërtohet nga bora. Tani ju mund të pyesni, si mundet që diçka e ftohtë t’ju mbajë ngrohtë?

Arktiku i ftohtë dhe me acar është njëri prej mjediseve më të vështira për të jetuar në planetin tonë. Megjithatë, njerëzit kanë arritur të jetojnë atje përreth 5000 vjet. Temperaturat gjatë dimrit arrijnë deri në -50°C, kështu që duhet gjetur strehim për të mbijetuar, dhe për këtë arsye njerëzit e këtyre viseve, që quhen inuitë, kanë mësuar të ndërtojnë shtëpitë e tyre me materialin e vetëm që kanë, borën.

Për këtë arsye, gjuha e inuitëve ka shumë fjalë të ndryshme për borën. Kjo ndodh për shkak se ekzistojnë lloje të ndryshme të saj dhe ata e dallojnë përmes emrit. Kjo u ndihmon të zgjedhin borën e duhur për shtëpitë e tyre, sepse një lloj i borës i mban të ngrohtë, kurse të tjerat jo. Pra, sekreti i të mbajturit ngrohtë nga bora qëndron në përzgjedhjen e saj. Ajo duhet të jetë mesatare; as shumë e butë dhe as shumë e fortë.

Image

Blloqet e akullit të shtëpive tradicionale inuite nuk janë të modeluara, ato janë prerë direkt nga toka. Përveç llojit të borës edhe forma e këtyre shtëpive ndikon në mbajtjen ngrohtë të trupit. Kështu, ju mund të pushoni dhe flini brenda në shtëpi. Duke qëndruar brenda, temperatura në këto shtëpi rritet, por nëse ftoni ndonjë mik të qëndrojë me ju, atëherë ju do të ngroheni më shumë dhe më shpejt.

Përveç shtëpive, ajo çfarë i mban ngrohtë njerëzit e këtyre viseve janë veshjet e veçanta që kanë. Veshjet tradicionale të inuitëve përbëhen nga një xhaketë e madhe e ngrohtë, që përballon borën dhe erërat. Kjo xhaketë dekorohet me rruaza të ngjyrave të ndryshme, përmes të cilave zakonisht krijojnë forma gjeometrike. Gjithashtu, veshin pantallona dhe dorashka të punuara nga lëkura e drerit ose e fokave, të cilat vishen në një ose dy shtresa, varësisht stinës. Ndërsa këpucët që veshin janë katërshtresore.

Edhe Toka është më afër diellit gjatë dimrit – disa fakte interesante rreth muajve të acartë Kuriozitet Toka është më afër diellit gjatë dimrit – disa fakte interesante rreth muajve të acartë

Kuriozitet tjetër për këtë fis është se për herë të parë kanë përdorur syzet, mirëpo jo për t’u mbrojtur nga dielli, por nga shkëlqimi verbues i dëborës dhe akullit. Syzet e tyre nuk ishin me lente. Ato ishin nga druri ose nga kockat e kafshëve, me një të çarë të vogël në qendër, e cila i lejonte ata të kishin një pamje të kufizuar, por në këtë mënyrë shmangte verbimin nga shkëlqimi i borës.

Image

Fëmijë të dashur, nëse jeni në ndonjë vend të ftohtë malor dhe dëshironi të provoni të ndërtoni një shtëpi inuite, fillimisht ftoni një mik që t’ju ndihmojë, pastaj keni kujdes në përzgjedhjen e borës dhe përkujdesuni t’i dhuroni asaj formën e duhur. Gjithashtu, provoni të improvizoni veshjet e inuitëve dhe kështu do të kënaqeni me mikun tuaj duke përjetuar disa momente sikurse në viset shumë të ftohta të planetit tonë.