Robotika është degë e teknologjisë, e cila merret me prodhimin, programimin dhe projektimin e robotëve. Edukatorët dhe kompanitë e lodrave e kanë shndërruar robotikën në një fushë argëtuese dhe edukative për fëmijët.
Roboti i quajtur “mTiny” është një robot i edukimit të hershëm për fëmijët që po rriten në epokën digjitale. Ai sjell programimin kompjuterik në jetën reale të fëmijëve duke përdorur karta kodimi dhe blloqe të ndryshme hartash me tematikë për të udhëhequr fëmijët në eksplorimin, perceptimin dhe krijimin përmes lojërave shumë ndërvepruese dhe argëtuese. Kështu, ne së bashku mësuam se si funksionon ky robot.
Paketa e veglave “mTiny” nxit interesin e fëmijëve për të mësuar në matematikë, gjuhë angleze, muzikë dhe lëndë të tjera duke i mbajtur ata vazhdimisht të frymëzuar. Mirëpo, kësaj radhe ne u fokusuam më shumë tek emocionet ku secili nga fëmijët demonstroi emocione të ndryshme në robotin e tyre me formë të pandës.
Nuk është vetëm shfaqja e emocioneve e vetmja aftësi e robotit “mTiny”, ai është në gjendje të lëviz në rrugën në formë enigme të krijuar nga fëmijët. Kjo lëvizje mundësohet nga telekomanda e robotit, që shërben për të ushtruar të menduarit logjik të fëmijëve dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve.
Përveç robotit “mTiny” ne u njohëm edhe me robotin e quajtur “Bee-Bot”, i cili është robot edukativ që ndihmon në zotërimin e aftësive të orientimit në hapësirë dhe programimin e lëvizjes.
Për t’u zhvilluar aftësi të tilla në fushën e robotikës sigurisht se duhen hapësira edukative dhe “BONEVET Prishtina” i ofron këto mësime dhe ndjekjen e këtyre klasave të robotikës. Për të gjitha këto, na njoftoi më shumë mësuesja Eglantina Avdiu.
Ishte shumë e bukur të vëreje entuziazmin dhe kuriozitetin në fytyrat e fëmijëve gjatë zhvillimit të aktiviteteve me robotët e tyre. Gjithashtu ata nuk hezituan të ndanin këto ndjesi dhe njohuri me ne.