Shumë të lumtur për vizitën te veterinari dhe ambiciozë për të mësuar gjëra të reja, fëmijët me shumë vëmendje dëgjonin mësimet dhe këshillat nga ai. Madje ishin kureshtarë që të mësonin akoma më shumë.
Profesioni i veterinarit është një profesion mjaft i vështirë dhe kërkon shumë përkushtim, mirëpo veterinari Ilirjan Jusufi e bën këtë punë me shumë dëshirë në klinikën e tij “Fauna jonë”. Kjo i frymëzoi fëmijët që të praktikonin profesionin e veterinarit.
Pas të gjitha informacioneve që morën rreth kujdesit ndaj kafshëve dhe profesionit të veterinarit, ishte koha të vizitonin hapësirat e tjera të klinikës, ku në secilën prej tyre realizohen shërbime të ndryshme për kafshët.
Vizita po mbaronte. Secili nga fëmijët ishte shumë i kënaqur dhe po largohej nga klinika me shumë njohuri për kafshët dhe profesionin e veterinarit, të cilin ndoshta do ta zgjedhin një ditë.