PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Halloween: Një “festë argëtimi” apo “frikë për fëmijët”?

Halloween

Përshëndetje fëmijë! Sot do të flasim për një festim të veçantë dhe argëtues. Është fjala për Halloween.

Çdo 31 tetor njerëzit maskohen me kostume të ndryshme, shpeshherë të frikshme, zbukurojnë shtëpitë e tyre me kunguj të prerë, skelete dhe fantazma, dhe dalin për të mbledhur ëmbëlsira.

Por, çfarë në të vërtetë është Halloweeni dhe pse festohet? Halloweeni ka filluar shumë kohë më parë, nga një traditë e lashtë kelte që quhej Samhain. Në atë kohë njerëzit besonin se në natën e 31 tetorit shpirtrat e paraardhësve të tyre ktheheshin për të vizituar tokën. Për t’u mbrojtur nga shpirtrat e këqij, ata ndiznin zjarre dhe visheshin me maska për të mos u njohur. Me kalimin e viteve Halloween u kthye në një festë që njerëzit e përdorin jo vetëm për të kujtuar të kaluarën, por edhe për t’u argëtuar me kreativitet dhe imagjinatë.

Kjo festë është një mundësi për fëmijët që të shprehin kreativitetin e tyre përmes kostumeve. Fëmijët në të gjithë botën zgjedhin kostume të ndryshme, disa vishen si superheronj, princesha ose kafshë të lezetshme, ndërsa të tjerë preferojnë veshje të frikshme si vampirë, fantazma ose skelete. Duke krijuar dhe zgjedhur kostume të ndryshme, fëmijët mund të shndërrohen në personazhe të ndryshme dhe të eksperimentojnë me imagjinatën e tyre, duke zhvilluar aftësi që i ndihmojnë të ndihen më të lirë dhe më të sigurt në veten e tyre.

Por, Halloween mund të përdoret në mënyrë edukative. Përmes kësaj feste fëmijët mësojnë për tradita të lashta dhe kultura të ndryshme. Duke kuptuar se si ka filluar kjo festë dhe si është zhvilluar me kalimin e kohës, ata marrin njohuri të reja për historinë dhe kuptojnë se si njerëzit kanë përdorur kostumet dhe festat për të shprehur ndjenjat dhe për të mposhtur frikën.

Gjithashtu, pjesëmarrja në aktivitetet e Halloweenit, si “Trick or Treat,” i ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi shoqërore dhe sjellje të mira. Kur trokasim në derën e fqinjëve, përshëndetemi dhe themi faleminderit për ëmbëlsirat, mësojmë të komunikojmë me të tjerët dhe të bëhemi pjesë e komunitetit tonë. Ndërkohë Halloween është një mundësi e shkëlqyer për prindërit dhe fëmijët që të punojnë së bashku në krijimin e kostumeve, duke zhvilluar aftësi në punëdore dhe duke shijuar një aktivitet të përbashkët familjar.

Në fund, Halloweeni është më shumë se një festë për t’u trembur- është një ditë për të shijuar të qenit ndryshe, për të krijuar kujtime të bukura me miqtë dhe familjen, dhe për të festuar me guxim dhe kreativitet.