Platforma edukative jo-formale, “Kosova Makers League” përmes një sërë aktivitetesh ka shënuar javën e gjuhës programuese Scratch.
Scratch është një gjuhë programimi miqësore për fillestaret dhe një platformë online, që i prezanton fëmijët me botën emocionuese të kodimit. Kjo gjuhë programuese ofron një mjedis krijues dhe ndërveprues për projektimin dhe ndërtimin e projekteve të ndryshme, si lojëra, animacione dhe histori interaktive.
Të gjitha këto veçori e shndërrojnë Scratch në një gjuhë shumë të dashur për fëmijët, të cilët janë shumë kureshtar të mësojnë më shumë për të.
Në ditën përmbyllëse të “Javës së Scratch” fëmijët nën udhëzimet e mësueseve të Kosova Makers Leauge krijonin animacione dhe lojëra të ndryshme. Secili prej tyre me shumë vëmendje realizonte krijimet e tyre. Disa krijonin lojëra e disa tregonin histori të ndryshme, për të cilat na treguan vetë fëmijët.
Gjuha Scratch inkurajon të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe bashkëpunimin duke nxitur një ndjenjë kurioziteti dhe eksperimentimi. Gjithashtu ofron një mënyrë argëtuese dhe të arritshme për t’u zhytur në botën e programimit. Më shumë rreth rëndësisë së njohjes së fëmijëve me këtë gjuhë programuese na tregoi drejtoresha, Flatra Thaqi
Pasi përfunduan programimin, ishte radha që fëmijët së bashku të festonin ditëlindjen e Scratch duke vallëzuar dhe kënduar me njëri tjetrin.
Në përgjithësi, aktivitete të tilla rreth teknologjisë fuqizojnë fëmijët të bëhen krijues aktivë dhe zgjidhës të problemeve në epokën digjitale. Përveç aftësive të shumta që ata fitojnë, atyre u rrënjoset një pasion për kodimin dhe teknologjinë, përmes të cilit priten të bëjnë ndryshime të mëdha.