PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Fëmijët krijojnë punime të ndryshme kreative për vjeshtën

Vjeshta është stinë shumë e bukur dhe e dashur për fëmijë. Ndryshimet e shumta që ndodhin gjatë kësaj stine e bëjnë atë akoma më të veçantë. Për të shijuar sa më shumë vjeshtën, fëmijët e akademisë “Lapsi” kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme.

Nxënësit e njërës klasë janë ndarë në grupe dhe secili grup zhvillonte aktivitetin e tij. Njëri grup kishte ngjyrë të vendosur në gjethet e pemëve dhe duhej të shpërndante të gjithë ngjyrën në tërë sipërfaqen e gjethes. Gjatë vjeshtës gjethet ndryshojnë ngjyrën dhe iu dhurojnë pemëve një pamje fantastike.

Më pas grupi tjetër me copëzat e prera ngjyrë portokalli dhe të gjelbër mbushnin vizatimin e kungullit, që është një ndër perimet që piqet gjatë stinës së vjeshtës. Kurse grupi tjetër mbushte pemën me gjethet shumëngjyrëshe.

Të gjitha këto aktivitete po i argëtonin fëmijët shumë, të cilët përmbushnin detyrat e tyre me sukses nën udhëzimet e edukatoreve.

Përveç këtyre aktiviteteve, klasa tjetër kishte për detyrë të ngjyroste gjethet me ngjyrat që kanë ato gjatë vjeshtës dhe gjethen e ngjyrosur ta vendosnin në trungun e pemës të vizatuar në fletë. Fëmijët e adhuronin këtë aktivitet dhe vazhdonin të pikturonin gjithë sipërfaqen. Ata ishin të njoftuar për stinën e vjeshtës dhe për ndryshimet që ndodhin gjatë saj.

Gjatë vjeshtës moti nuk është gjithmonë me diell. Ndonjëherë bie shi dhe ne për t’u mbrojtur duhet të kemi çizme dhe të marrim çadrën me vete. Për këtë arsye fëmijët po krijonin një punim shumë kreativ që simbolizonte këtë ndryshim të motit gjatë vjeshtës.

Fëmijët e shijuan shumë realizimin e këtyre aktiviteteve, të cilat përveç se zbativëse, ishin edhe edukative, ngase përmes tyre fëmijët u familjarizuan me ndryshimet që ndodhin gjatë vjeshtës. Tani ata mezi presin që të kalojnë kohë sa më të mirë duke zhvilluar aktivitete me miqtë dhe edukatoret e tyre.