Pranvera erdhi! Bora, akulli janë shkrirë dhe natyra ka filluar të zgjohet përsëri. Stina e pranverës nis më 20 mars dhe prej asaj dite çdo gjë në natyrë fillon të ndryshojë.
Mirëpo, a e dini ju se çfarë na sjell pranvera? Tani së bashku do t’i mësojmë të gjitha këto.
Fillimisht moti në pranverë ndryshon, temperaturat fillojnë të rriten, ka më shumë ditë të ngrohta e me diell, por ka edhe ditë që bie shi e shumë shpesh e shohim ylberin, ku kënaqemi me ngjyrat e tij. Gjithashtu dita fillon të zgjatet dhe nata bëhet më e shkurtër.
Kafshët, të cilat kanë qenë në gjumin dimëror dalin jashtë në ditët e para të ngrohta të kësaj stine. Disa nga këto kafshë janë: arinjtë, gjarpërinjtë, urithët, bretkosat dhe shumë kafshë të tjera. Po ashtu zogjtë shtegtarë rikthehen nga vendet e ngrohta ku kanë ikur për t’u mbrojtur nga i ftohti i dimrit.
Gjatë pranverës, natyra është shumë e zënë dhe ka shumë ndryshime që e shoqërojnë atë. Bari dhe gjethet fitojnë përsëri ngjyrën e tyre të gjelbër. Ju mund të shihni pemët duke u rritur dhe lulet duke lulëzuar. Kjo ndodh për arsye se ajri dhe dheu janë më i ngrohtë dhe ditët me diell janë më të gjata.
Pranvera është stinë shumë e bukur, ku hijeshinë e saj e shtojnë fluturat shumëngjyrëshe dhe mollëkuqet, të cilat ndodhen gjithandej. Përveç tyre, bletët fluturojnë në çdo lule për të mbledhur polenin dhe nektarin. Gjithashtu zogjtë këngëtarë fillojnë të këndojnë pa pushim.
Të gjitha këto elemente të pranverës na shtyjnë që ta duam edhe më shumë këtë stinë të mrekullueshme, të mbushur me shumë ngjyra të bukura, energji dhe gjallëri. Tani ju mund ta shijoni shumë këtë stinë, duke kaluar kohë jashtë dhe duke praktikuar aktivitetet tuaja të preferuara. Prandaj, mos harroni të kaloni sa më shumë kohë në natyrë dhe të shijoni të gjitha këto të mira, që na i sjell pranvera.