Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Aktivitet me fëmijë për veshjet, si të dallojmë veshjet e dimrit nga ato të verës?

Veshjet janë pjesë shumë e rëndësishme e rutinës sonë. Ne i dallojmë ato në bazë të stinëve; kur është vera dhe temperaturat janë më të larta, ne vishemi me rroba më ndryshe sesa gjatë stinës së dimrit, kur temperaturat janë shumë më të ulëta. Gjithashtu veshjet dallojnë nga forma, ngjyra dhe materiali që e kanë.

Për të mësuar më shumë rreth tyre ne vizituam fëmijët parafillorë të shkollës “Qamil Batalli”, me të cilët organizuam një aktivitet argëtues, me qëllim që përmes lojës të dallojmë më lehtë veshjet sipas stinëve. Mirëpo, para se të fillonim aktivitetin fëmijët zbatuan rregullin e parë të hyrjes në shkollë. Ata palosën rrobat në dollapët e tyre dhe pastaj u futën në klasa për të zhvilluar aktivitetin.

Në këtë mënyrë secili fëmijë më letrën e tij që kishte të vendosur një lloj të veshjeve, erdhi në mes të rrethit, identifikoi veshjen dhe e vendosi atë në kutinë e duhur, duke bërë dallimin se në cilën stinë vishet ajo.

Pas këtij klasifikimi të veshjeve në kutitë përkatëse, që ishte aktivitet shumë zbavitës, ne filluam të punonim veshjet dimërore me materiale të ndryshme me ndihmën e edukatoreve, Albulena dhe Doruntina. Secili grup me materialet që kishte krijonte veshje sipas stilit dhe imagjinatës së tyre. Disa i ngjyrosnin veshjet me ngjyrat e preferuara, disa prisnin materiale të ndryshme dhe i ngjitnin në letër duke krijuar veshje. E disa të tjerë i punonin ato me plastelinë. Por të gjithë të përkushtuar në punën e tyre, për të krijuar veshje sa më të bukura.

Ky aktivitet i argëtoi fëmijët shumë. Tani ata do ta kenë më të lehtë dallimin mes veshjeve të dimrit dhe atyre të verës. Gjithashtu u treguan shumë kreativë dhe të aftë gjatë kohës së punimit të veshjeve.

Edhe Aktivitetet e fëmijëve për stinën e pranverës PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE Aktivitetet e fëmijëve për stinën e pranverës

Lojërat dhe aktivitetet janë shumë të rëndësishme për ju fëmijë. Përmes tyre ju do t’i kuptoni të gjitha gjërat më lehtë. Prandaj, mundohuni që sa më shumë të zhvilloni aktivitete të tilla dhe të mësoni përmes tyre. Sepse, përveçse do të kënaqeni pa fund, ju nuk do t’i harroni ato çfarë keni mësuar përmes lojës.

Aktivitetin që ne zhvilluam me fëmijët e shkollës “Qamil Batalli edhe ju mund ta praktikoni në shtëpitë tuaja për të mësuar më mirë dallimin mes veshjeve sipas stinës. Kështu, ne do të realizojmë përsëri aktivitete të tjera së bashku.