Ngjyrat janë shumë të dashura për ju fëmijë. Ju përdorni ngjyra të ndryshme për të vizatuar e pikturuar gjërat që ju pëlqeni më shumë dhe të bëni aktivitete të ndryshme me to.
Pasi fituan njohuritë për ngjyrat, fëmijët e qendrës edukative “Bardha” mezi pritnin të fillonin aktivitetin së bashku me piktoren Diella Valla. Ata filluan të vizatonin sipas dëshirës dhe në momentin që ndalej muzika i ndërronin vizatimet me shokët dhe shoqet e tyre. Më pas vazhdonin të vizatonin dhe të ngjyrosnin me ngjyrat e tyre të preferuara.
Me shumë dëshirë dhe inspirim fëmijët vazhdonin të vizatonin me ndihmën e Diellës dhe të mësueses së tyre. Duke i përdorur ngjyrat me shumë mjeshtëri, fëmijët shfaqnin në letër gjërat e tyre të preferuara. Disa vizatonin e ngjyrosnin natyrën, disa shtëpi e lule, por të gjithë ishin shumë të lumtur që po realizonin një aktivitet të tillë dhe që shprehnin imagjinatën e tyre përmes ngjyrave.