Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ka thënë se ka siguruar 50 mijë vaksina për bashkatdhetarët në Shqipëri e Kosovë, pas mobilizimit që ka pasur në kohë pandemie. FMSHE-ja në fillim të kësaj jave i ka dërguar një letër zyrtare Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duke kërkuar mbështetje për sigurimin e vaksinave për vendet shqipfolëse në Ballkan.
FMSHE-ja, e cila numëron mbi 3.000 mjekë shqiptarë që punojnë dhe veprojnë në 21 vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, organizoi po ashtu edhe një konferencë të përbashkët virtuale me krerë të institucioneve shëndetësore në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të konsullatash nëpër vende të BE-së. Në këtë konferencë, u konfirmua se FMSHE-ja është e mobilizuar në luftën kundër COVID-19, si dhe sigurimin e vaksinimit të qytetarëve shqiptarë në Ballkan.
Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka thënë se deri tash janë vaksinuar afro 60 mijë qytetarë të vendit. Duke respektuar planin nacional të vaksinimit, deri tani janë vaksinuar personeli shëndetësor dhe personat në moshën mbi 80-vjeçare, ndërsa tani janë në fazën e vaksinimit të personave të moshës mbi 65-vjeçare.
“Gjatë kësaj jave, presim edhe një kontingjent prej rreth 100 mijë dozave nga Covax, kështu që gjatë muajit qershor presim që të kemi vaksinim në vazhdimësi dhe në masë, në mënyrë që të arrijmë që të vaksinojmë popullatën në rrezik para muajve të verës”, ka thënë Vitia.
Vitia ka vlerësuar se është me rëndësi që Kosova të vaksinojë sa më shumë qytetarë para ardhjes së diasporës.
Edhe
Vitia: Janë vaksinuar me së paku një dozë mbi 50 për qind e popullatës që mund të vaksinohet
“Ne jemi në diskutime të vazhdueshme me shumë prodhues për sigurimin e vaksinave, me disa prej tyre edhe në fazë të avancuar dhe shpresojmë se së shpejti edhe do të finalizojmë në mënyrën më të mirë rezultatin e këtyre diskutimeve”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka theksuar se Qeveria ka marrë vendim që të pranojë vetëm vaksinat që janë të pranuara nga rregullatorët evropianë dhe amerikanë, prandaj deri tani qytetarët janë vaksinuar vetëm me “Astrazeneca” dhe “Pfizer”.
Përderisa Shqipëria, sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deri tani ka përdorur katër lloje vaksinash për imunizimin e qytetarëve të saj nga COVID-19, duke përdorur edhe vaksinat kineze dhe ato ruse. Rakacolli ka theksuar se Shqipëria deri tani ka vaksinuar afro 700 mijë qytetarë.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve, si në vend ashtu edhe në diasporë, që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet shëndetësore, sidomos distancën sociale si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit.
Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg ka thënë se negociata me Bashkimin Evropian për të sjellë vaksina në Shqipëri, pritet të zhvillohen edhe në qershor. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ka thënë se tashmë ka siguruar një donacion prej 50 mijë dozash të vaksinave antiCOVID për trojet shqiptare.
Edhe
SHBA-ja këtë javë dërgon mbi 35 mijë vaksina antiCOVID në Kosovë
Dollenberg ka theksuar se Norvegjia është shteti i parë evropian, që do të dhurojë vaksina për shqiptarët. Norvegjia së fundmi ka bërë të ditur se do të dhurojë 1.3 milion vaksina për vendet tjera, që nuk kanë arritur të sigurojnë ende vaksina nga prodhuesit. Dollenberg ka pohuar se deri tani vetëm 0.3 për qind të vaksinave të prodhuara e të aprovuara, kanë shkuar tek vendet e varfra, siç janë Shqipëria dhe Kosova. “Prandaj, ne duhet të rrisim kontaktet me prodhuesit e vaksinave, në mënyrë të që të sigurojmë sasitë e nevojshme për vaksinimin e qytetarëve në vendet shqipfolëse”, është shprehur Dollenberg.
Pjesëmarrësit e kësaj konference, u pajtuan se bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore dhe profesionistëve shqiptarë të të gjitha fushave që jetojnë në diasporë, është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm.