Australianët kanë festuar në zyra, bare, shkolla e vende të tjera për rekordin kombëtar prej 18 medaljeve të arta në Lojërat Olimpikë në Paris, shkruan “Reuters” të enjten.
Australia është ngritur në vendin e tretë në renditjen e medaljeve të fituara në Lojërat Olimpike pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Thuajse të gjitha mediumet e Australisë kanë raportuar për suksesin e madh të sportistëve australianë të cilët kanë shkëlqyer, ndër të tjera, në atletikë, sporte ujore, çiklizëm dhe tenis. Askush pothuajse nuk është përmbajtur për këtë sukses historik.
“Në jemi një vend me 27 milionë banorë krahasuar me qindra miliona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miliarda në Kinë, ose më shumë se një miliard në Kinë dhe Indi. Është një arritje e jashtëzakonshme”, tha kryeministri Anthony Albanese për “Channel”.
Kur u pyet pse Australia e arriti këtë sukses, Albanese u përgjigj.
“Ne jemi një komb që jemi të lidhur me sportin, qoftë individuale apo ekipore. Mendoj se shumica prejse kur rritemi kemi një person që merret me not, atletikë apo sporte të tjera. Australianët e duan sportin e tyre, ne marrim pjesë në të dhe kënaqemi”.
Gjatë 24 orëve të fundit Australia fitoi medaljet e arta në kërcim së larti, skejtbord dhe lundrim, duke mbyllur me një fitore emocionuese ndaj Britanisë së Madhe në garën e çiklizmit në palestër.
Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundim të Lojërave Olimpike, Australia ka tejkaluar arritjen prej 17 medaljeve të fituara në Lojërat Olimpike të mbajtura në Athinë në vitin 2004 dhe në Tokio tre vjet më parë. Është përpara Francës dhe Britanisë së Madhe, të cilat kanë nga 13 medalje.
Kina kryeson aktualisht renditjen me 28 medalje, kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në vendin e dytë me 27 medalje.
“Nuk mund ta besoj që jemi në pozitën e tretë. Është goxha arritje”, ka thënë Bec Vrana Dickinson, qytetar i Sydneyt.
Albanese tha për “ABC News” se atletët australianë do të kenë “një pritje madhështore kur ekipi olimpik i Australisë të kthehet në shtëpi” javën e ardhshme.
Airsa Trew, adoleshentja 14-vjeçare, ka shkruar histori për Australinë pasi fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris. 14-vjeçarja ka thyer rekordin 68-vjeçar në Paris të martën. Ajo fitoi të artën në gara me skejtbord, ndërsa u bë fituesja më e re e Australisë që fiton medalje të artë, duke thyer rekordin e Sandra Morganit.
Legjenda e notit Morgan ishte 14 vjeç e gjashtë muaj kur fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Melbourne 1954”, ndërsa Trew aktualisht është 14 vjeç e tre muaj.
“Vërtet e mahnitshme të shikosh suksesin në kaq shumë sporte. Ne nuk kemi pritur që Australia të kthehej me kaq shumë medalje të arta në shtëpi”, tha Mark Dietz, një importues i verës në Sydney.
Australia mori pjesë me 470 sportistë në Paris. Ishte delegacioni i dytë më i madh qëkur Australia ishte nikoqire e Lojërave Olimpike “Sydney 2000”.
Arritjet megjithatë u zbehën nga lajmet për një lojtar të hokejit në bar, që u arrestua për blerje të kokainës. Australia dështoi në ragbi, ndonëse vlerësohej prej favoriteve për të fituar të artën.