Opinion

Përgjegjësi e shpallur pa pasoja politike

Në politikë ka momente kur një parti nuk bie vetëm nga votat, por nga iluzioni se realiteti mund të negociohet. LDK ja sot gjendet pikërisht në atë nyje të rrezikshme ku vetëbesimi i tepruar përplaset me faktet kokëforta, dhe ku humbja interpretohet jo si thirrje për reflektim, por si bezdi që duhet administruar. Në vend se të hapë një kapitull të ri, drejtimi aktual i LDK-së duket sikur përpiqet ta mbajë peng atë të vjetrin. Kjo është pikërisht arsyeja pse kriza e LDK së nuk është vetëm elektorale, por konceptuale. Pra, në mënyrën se si LDK-ja e ka përpunuar ose më saktë, nuk e ka përpunuar rezultatin e 28 dhjetorit.

Humbja zgjedhore, në vetvete, nuk është problem për asnjë parti politike. Humbjet janë pjesë normale e garës demokratike dhe shpesh shërbejnë si mekanizma korrigjues, duke i shtyrë partitë politike drejt rishikimit dhe përmirësimit. Problemi real fillon në momentin kur humbja nuk prodhon reflektim, nuk gjeneron analizë dhe nuk përkthehet në kapital reformues.

Reagimi zyrtar i LDK-së pas zgjedhjeve ka qenë i zbehtë, kryesisht mbrojtës dhe i orientuar më shumë drejt menaxhimit të narrativës sesa ndaj një analize substanciale të rezultateve. Kjo tregon një problem të thellë kulturor brenda LDK-së, e cila po duket se po trajton realitetin politik si diçka të negociueshme, jo si fakt empirik që kërkon përgjigje të qartë. Në vend të një ballafaqimi të hapur me shkaqet e humbjes, është zgjedhur relativizimi i saj, shpesh përmes zhvendosjes së fajit te faktorë të jashtëm, momentumi i zgjedhjeve ose sjellja e elektoratit. Ky mekanizëm mbrojtës është tipik për partitë që kanë humbur aftësinë për vetëkritikë.

Nga këndvështrimi i teorisë së partive politike, kjo sjellje përputhet me atë që quhet “inercia organizative”, pra rezistenca ndaj ndryshimit edhe kur kushtet objektive e bëjnë ndryshimin të domosdoshëm. LDK aktualisht po funksionon më shumë si një parti politike që ruan identitetin simbolik sesa si një parti politike që mat veten përmes performancës. Historia dhe trashëgimia e saj përdoren shpesh si justifikim për të shmangur llogaridhënien reale, duke e shkëputur partinë nga realiteti elektoral dhe social. Kjo është një formë e papërshtatshme e vetëlegjitimimit, sepse e shkëput LDK-në nga realiteti elektoral dhe qytetar.

Një nga gabimet më të mëdha të LDK-së ka qenë bindja e kotë se elektorati i saj nuk ndryshon dhe pritjet e votuesve mbeten po ato. Realiteti shoqëror në Kosovë ka ndryshuar thellësisht. Sot njerëzit nuk lidhen më aq me identitete historike, por gjykojnë partitë për performancën, koherencën dhe integritetin moral. LDK-ja ka qenë e ngujuar në strategjitë e së shkuarës, duke humbur kontaktin me njerëzit, edhe pse trashëgimia e saj politike mbetet e padiskutueshme. Kjo qasje e saj shihet edhe në mënyrën se si LDK-ja po trajton përgjegjësinë e brendshme dhe epilogun e humbjeve të saj.

Një element që e thellon edhe më shumë krizën e LDK-së lidhet drejtpërdrejt me mënyrën joserioze se si po trajtohet çështja e përgjegjësisë së kryetarit pas humbjes. Deklarata e Lumir Abdixhikut se dorëheqja “i takon Kuvendit të LDK-së për ta pranuar ose jo” shitet si respektim i procedurës demokratike, por në thelb është një shmangie e pastër nga akti politik i marrjes së përgjegjësisë. Në vend që të përballen hapur me pasojat e zgjedhjeve, drejtuesit e LDK-së zgjedhin të fshihen pas procedurave, duke ulur një akt thelbësor përgjegjësie në nivelin e një ushtrimi burokratik.

Në teorinë politike, dorëheqja pas një humbjeje është një akt personal përgjegjësie, jo një proces që negociohet kolektivisht. Megjithatë, Abdixhiku e lidh largimin e tij me miratimin e një organi që, në thelb, varet prej tij, si politikisht ashtu edhe strukturisht. Dhe kur LDK-ja përpiqet të promovojë rrëfimin e saj të zakonshëm mbi ekzistencën e procedurave të brendshme demokratike, duhet theksuar se pikërisht aty ku pretendohet demokracia, përgjegjësia politike duhet të jetë e qartë dhe e pakushtëzuar. Përgjegjësia në LDK nuk duhet të relativizohet ose të maskohet pas formaliteteve që, në thelb,  ekzistojnë vetëm për të mbrojtur status quo-në dhe për të shpëtuar nga pasojat e zgjedhjeve.

Fakti që shumëkush pret që Kuvendi i LDK së të mos e miratojë dorëheqjen e kryetarit të LDK-së tregon për një problem më të thellë, atë të autonomisë së vërtetë të strukturave partiake ndaj lidershipit. Në këtë situatë, edhe sikur Kuvendi të refuzojë dorëheqjen, ai vetëm sa forcon përshtypjen se humbja elektorale nuk po trajtohet si përgjegjësi reale, por si një episod që thjesht duhet menaxhuar. Ky model krijon një paradoks politik në të cilin përgjegjësia shpallet, por nuk ushtrohet, dorëheqja ofrohet, por nuk miratohet, dhe reforma përmendet pa u materializuar. Si pasojë, LDK projekton një imazh të procesit të brendshëm demokratik, ndërkohë që në praktikë e neutralizon funksionimin e tij. Për qytetarët, kjo është një tregues i qartë se humbja në zgjedhjet e fundit nuk është marrë seriozisht si mësim politik, por vetëm si një formalitet që duhet kaluar.

Në praktikë, kjo sjellje mban LDK-në të bllokuar në atë që literatura e quan “accountability without consequences”, përgjegjësi pa pasoja. Ky është një nga faktorët kryesorë që shpjegon pse partitë tradicionale humbasin gradualisht besimin qytetar, jo sepse bëjnë gabime, por sepse nuk pranojnë të paguajnë koston politike të tyre.

Nëse Kuvendi i LDK-së refuzon dorëheqjen e kryetarit, mesazhi politik bëhet edhe më i qartë se humbja zgjedhore nuk shihet si dështim që kërkon ndryshim lidershipi. Problemi nuk qëndron më te individi, por te sistemi i brendshëm i partisë, i cili shpërblen vazhdimësinë edhe kur mungojnë rezultatet. Me fjalë të tjera, LDK po heq dorë nga ambicia për një rikthim real në pushtet.

Në këtë kuadër, dorëheqja e kushtëzuar nuk konsolidon kapacitetin institucional të LDK-së, përkundrazi e thekson dobësinë e saj strukturore. Çdo vazhdim i diskursit mbi reformën mbetet thjesht një strategji e mbijetesës organizative dhe jo një përpjekje reale për rikonceptimin dhe ringritjen e partisë.

Në fund të fundit, pa një pranim të sinqertë të dështimit dhe pa gatishmëri për ndryshim të mirëfilltë, LDK-ja do të mbetet jo vetëm jashtë pushtetit, por edhe jashtë logjikës së transformimeve politike që kërkojnë partitë bashkëkohore për të mbijetuar dhe për t’u rilidhur me elektoratin e tyre.